E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e pesëfishtë në Shkup, MPJ shpreh keqardhje për ngjarjen

14-04-2012 / Gazeta 55

Ministria e Brendshme: Ngjarja, jo motive etnike - ende asnjë i akuzuar


Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Smilkovc të Shkupit, ku në rrethana ende të paqarta janë vrarë pesë persona. MPJ u shpreh ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave dhe inkurajon autoritetet shtetërore që të hetojnë plotësisht këtë ngjarje. MPJ vlerëson se në këtë situatë është e nevojshme ruajtja e qetësisë, dhe shmangia e çdo lloj keqinterpretimi që pengon zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike.


Ministrja e Brendshme, Jankullovska: Mos t’i jepet ngjyrim etnik ngjarjes, autorët janë të pa njohur

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ende nuk ka një pistë të mundshme të motivit dhe autorëve të vrasjes së pesëfishtë në rajonin e Shkupit. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska në një deklaratë për mediat ka theksuar se është duke u punuar në mënyrë intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ajo tha se janë marrë edhe rezultatet e autopsisë, të cilat konfirmojnë se ndaj viktimave është qëlluar nga tre armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe nga më shumë persona. Jankullovska gjithashtu tha se është zgjeruar lista e personave të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen e kryer në afërsi të fshatit Smilkovc. Numri një i Ministrisë së Brendshme gjithashtu ka theksuar se është kërkuar ndihmë nga shërbimet e shteteve fqinje, për bashkëpunim nëse posedojnë ndonjë informacion të mundshëm.
Jankullovska u bëri thirrje edhe qytetarëve që mos këtë vrasje me ose pa qëllim të mos e shfrytëzojnë për rritjen e tensioneve ndëretnike, aq më shumë kur ende nuk dihet identiteti i autorëve apo përkatësia e tyre etnike. Jankullovska gjithashtu siguroi se forcat policore i kanë ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Maqedoni, për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›