KMDLNJ: Ligji për Amnisti të bëhet kategori kushtetuese
Monitorues të KMDLNJ-së vizituan të mërkurën Burgun e Dubravës, ku janë takuar me Këshillin grevist nga të cilët janë informuar për grevën në të cilën kanë hyrë 541 të burgosur me kërkesën për vendosjen si kategori kushtetuese e Ligjit për Amnisti në pakon e ndryshimeve të Kushtetutës që janë paralajmëruar më herët.
Gjatë takimit KMDLNJ u informua se gjendja shëndetësore e grevistëve ishte e mirë.
Grevistët përmes Këshillit Grevist deklaruan se nuk ka asnjë vërejtje për sjelljen e stafit duke filluar nga drejtori deri te oficerët korrektues. Ata deklaruan se janë të shtrënguar të ndërmarrin këtë hap radikal, sepse edhe më parë kanë marrë premtime, por se ato nuk janë përmbushur. Ata kërkuan siguri se kësaj radhe këto kërkesa do të realizohen.
KMDLNJ u ka bërë të qartë Këshillit Grevist për rrugën të cilën duhet ta përdorin për realizimin e kësaj kërkese që është e ligjshme dhe e drejtë. Po ashtu, KMDLNJ e përkrah që Ligji për Amnisti të bëhet kategori kushtetuese, por nuk e përkrah grevën e urisë si mjet për realizimin e kërkesës së tyre.
Ndonëse Këshilli Grevist nuk ka pasur vërejtje për stafin, KMDLNJ ka kërkuar nga stafi të jetë edhe më i kujdesshëm në raport me grevistët.
Monitorues të KMDLNJ-së janë takuar me drejtuesin e Qendrës Korrektuese në Dubravë Haki Maxharraj.
Në Qendrën Korrektuese të Dubravës shihej një mobilizim më i madh i stafit korrektues dhe atij mjekësorë që kujdeseshin për shëndetin e grevistëve dhe sigurinë e tyre.
Ndryshe, gjatë vizitës në Burgun e Dubravës ishin 786 të burgosur. KMDLNJ njofton se do të vazhdojë të përcjellë gjendjen e të burgosurve që janë në grevë urie dhe shpreson se kjo grevë do të përfundojë shpejt.
Të burgosurit, të hënën në Burgun e Dubravës, kanë filluar grevën e urisë, me kërkesë që Ligji për Amnisti të bëhet kategori kushtetuese.