E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOHA PER TE HESHTUR, KOHA PER TE FOLUR...

Javën që shkoi, u mora në "Top Show" me një temë, e cila në të vërtetë rrekej të arsyetonte të vërtetën, ç‘mitizimin, pastrimin.

Ishte emisioni i ditës së mërkurë, datë 22 prill 2009, me titull "Të pathënat e Kosovës". Me pak fjalë, në qendër të debatit ishte veprimtaria e UÇK-së gjatë pranverës së vitit 1999, kur avionët e NATO-s bombardonin ish-Jugosllavinë dhe shqiptarët e Kosovës, të detyruar prej ushtrisë serbe (Armatës Jugosllave), me qindra mijëra zhvendoseshin në territorin e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pikërisht, dhjetë vjet më pas, në mediat evropiane nuk flitej më për krimet e serbëve në atë periudhë, por për ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kishte kampe ku torturoheshin, zhdukeshin apo vriteshin serbë, shqiptarë dhe romë. Në një prej këtyre investigimeve, bashkautor ishte dhe ish-kryeredaktori dhe bashkëpunëtori im në "Top Show", Altin Raxhimi. Gjithashtu, bashkautor në këtë investigim ishte dhe një tjetër gazetar shqiptar, Vladimir Karaj.

Mu duk me interes për ta trajtuar në emision këtë histori, pasi në këndvështrimin tim ngërtheheshin tri çështje: 1. Etika e profesionit, etika qytetare dhe sensi patriotik i gazetarit; 2. Të vërtetat e hidhura të supozuara (vazhdoj ta përdor mbiemrin "të supozuara" për sa kohë ka njerëz që publikisht mohojnë se ekzistojnë këto të vërteta) mbi "shkeljet brutale të të drejtave të njeriut", a ndihmojnë edhe në dekriminalizimin e politikës në Kosovë? 3. Si mund t‘i përgjigjemi me të njëjtën monedhë ofensivës mediatike serbe, e cila prej kohësh synon opinionin publik ndërkombëtar për të relativizuar historinë e hidhur të Serbisë me kombet e tjera të ish-Jugosllavisë gjatë viteve ‘90 dhe, sidomos me shqiptarët, duke krijuar bashkëfajtorë. Vetëkuptohet, Serbia ndjehet më mirë me bashkëfajtorë se sa në pozicionin e të vetmit fajtor në historinë e përgjakshme të viteve ‘90.

Gazetaria si mision

Pyetja: A ka një kohë për t‘i thënë disa të vërteta të hidhura dhe një kohë për të mos i thënë, natyrisht që shkon në një lidhje organike me dy pikat e tjera të debatit, dekriminilazimin e politikës në Kosovë dhe aksionin mediatik serb. Në rast se do të pranonim që kjo do të ndihmonte në pastrimin e politikës së Kosovës nga të inkriminuarit, atëherë këto të vërteta pa diskutim që duhen botuar. Në këtë mënyrë, i çojmë ata para drejtësisë, margjinalizojmë ata që e përdorin luftën si hajmali të përfitimit dhe majmjes në paqe dhe pastrojmë ndërgjegjen e idealistëve që luftuan për Kosovën e lirë. Po të marrim parasysh që në këtë rast kemi të bëjmë me persona që konsiderohen ndër të fuqishmit e politikës së Kosovës dhe jo për disa rikatues të vegjël që menjëherë pas luftës veshën uniformat e UÇK-së dhe u vetëquajtën luftëtarë, atëherë kuptojmë që kjo histori është e një rëndësie të veçantë.

Sot, në klasën politike të Kosovës ekzistojnë njerëz, të cilët në besimin e disa analistëve dhe aktivistëve të jetës politike atje, janë lehtësisht të shantazhueshëm nga faktori ndërkombëtar dhe administratorët e Kosovës, për shkak të bëmave të tyre në luftë dhe në paqe. Nga ana tjetër, janë këto figura politike sot që mbartin me vete dhe një pjesë të mitit të luftëtarit të UÇK-së, të cilët në ndryshim nga një pjesë e mirë e qytetarëve të Prishtinës (sidomos të Prishtinës), vendosi të ekspozohej ndaj rrezikut të jetës për lirinë e Kosovës. Dhe ky mit nuk është pa të vërteta brenda. "Ka disa prej tyre që janë sjellë aq mirë për lirinë e Kosovës", më tha një prej të ftuarve, "saqë nuk mundesh sot me i diskutu shkeljet që kanë bërë". Në fakt, kjo është dilema njerëzore. Por nëse ata me kalimin e kohës bëhen pengesë për një shoqëri të shëndetshme në Kosovë, atëherë a mund të themi se duhet të shkojnë, pasi tashmë e kanë kryer misionin e tyre? A nuk kemi pasur boll shembuj në historinë tonë se si njerëzit e luftës më vonë nuk ditën ta administronin paqen?

Po ta shikonim në këtë formë, dilema patriotike bie. Sensi qytetar dhe profesional fiton. Artikulli me bashkautorët shqiptarë patjetër duhej publikuar. Madje mu për këtë është edhe patriotik, pasi ndihmon në shëndoshjen e një shoqërie të re në Kosovë, e cila nuk ka frikë të shikojë të vërtetat në sy dhe të flasë për to. Kjo shoqëri ka dhe arsyet për të merituar Republikën e Kosovës.

Intermexo arsyetuese

Gjatë verës së shkuar isha në Gjakovë. Buzë lumit të Gjakovës, Krena, në një zonë shumë të bukur të qytetit, është një kafeteri, në të cilën gjakovarët çlodhen nën hijen e pemëve dhe shushurimën e lumit që rrjedh, duke pirë makiatot e gjata. Përballë, në murin poshtë rrugës, buzë lumit është një memorial tronditës. Janë emrat e të gjithë gjakovarëve të vrarë dhe të zhdukur, pikërisht gjatë pranverës së vitit 1999. Mund të shikosh të rreshtuar dhjetëra persona me të njëjtin mbiemër, të gjithë familje të vjetra gjakovare. Brenda një kohe të shkurtër, kur avionët e NATO-s ishin në qiell, UÇK-ja në male dhe ushtria e paramilitarët serbë i kishin duart e lira për pak kohë në tokë, këta njerëz u vranë. Duke vajtur nga Gjakova për në Prizren, është fshati Krush, ku nuk ka më asnjë mashkull për shtëpi. Tashmë ka vetëm gra dhe fëmijë. Burrat u vranë po në pranverën e vitit 1999.

Në Gjakovë të tregojnë gjithashtu historinë e postierit serb, një burrë të urtë dhe të mirë, i cili gjithmonë edhe në kohërat më të vështira të Milosheviçit, kishte gëzuar respektin e gjakovarëve. Fëmijët i shkonin nga pas dhe ky u dhuronte karamele. Pastaj papritur në një natë, shndërrohet nga burri i urtë, i respektuar dhe i dashur prej fëmijëve, në një kapo të paraushtarakëve në gjueti të shqiptarëve që "janë të mirë vetëm të vdekur".

Në Prizren, një familje jetonte përballë postës së policisë. Në atë shtëpi jetonin babai, nëna dhe vajzat. Trauma e këtij burri ishte se çfarë mund të bënte në rast se paramilitarët vinin në shtëpi dhe i merrnin gruan dhe vajzat.

Përmenda këto histori që i kam dëgjuar në vetë të parë. Të gjitha mu kujtuan kur lexova investigimet për UÇK-në. Mendoja të njëjtën gjë që mund të mendonin dhe ata në Gjakovë, Krushë, Prizren. A ka krahasim ndërmjet asaj çka serbët kanë bërë dhe asaj çka shqiptarët kanë bërë? A është e njëjtë dhuna metodike, e menduar me gjak të ftohtë gati shkencërisht e shtetit serb, me errjen e syve nga ana e shqiptarëve?

Si mund të reagojmë ndaj shkeljeve të shqiptarëve në rast se kemi parasysh çfarë kanë bërë ushtria, policia e paramilitarët serbë?

Altin Raxhimi më tha se ne kemi nevojë për Natasha Kandiçët në Kosovë. Por a mos ia heqim në këtë formë kauzën Natasha Kandiçit në Serbi?

Ofensiva mediatike

Dhjetë vjet pas pranverës së vitit 1999, nuk flitet më për masakrat e serbëve, por për ato të shqiptarëve. Një histori e kombinuar? Jo vetëm shtypi serb (Avni Zogiani, drejtues i lëvizjes "Çohu" në Prishtinë, më tha se nëse klikoje në internet shtypin serb, do të gjeje çdo javë një ministër, një prokuror, një analizë, apo fakte gazetareske, të sajuara apo të vërteta që flisnin për masakrat e UÇK-së ndaj popullatës civile serbe), por për këto shkruan BBC dhe "Balkan Insight".

Mendimi im: Jugosllavia ka gëzuar një simpati goxha të madhe në opinionin publik ndërkombëtar, por edhe në kancelaritë perëndimore. Kjo simpati vazhdoi për inerci edhe kur shpërthyen luftimet në republikat e ish-Jugosllavisë, në Kroaci, e sidomos në Bosnjë-Hercegovinë. Ashtu si në Bosnjë-Hercegovinë, u desh masakra e Srebenicës që të shkundej Perëndimi, në Kosovë u desh masakra e Raçakut për të tronditur opinionin publik ndërkombëtar. Lufta në ish-Jugosllavi ishte jo vetëm një luftë me bomba, por edhe mediatike.

Serbët janë të vetëdijshëm që humbën një pjesë të madhe të simpatisë gjatë atyre luftërave të përgjakshme. Por ama, ata dinë se një pjesë e shteteve perëndimore, edhe aleatë brenda NATO-s, u tërhoqën zvarrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe në aksionin për Kosovën. Vetë Britania e Madhe ka pasur një komponente të fortë politike pro serbe te konservatorët, ashtu si një pjesë e të majtëve evropianë, duke qenë kundër SHBA-së dhe NATO-s, janë dhe kundër idesë së një Kosove të pavarur. Çdo shtet i dobët që i bën rezistencë "fuqisë imperialiste dhe veglave të saja", është automatikisht simpatik për ta. Por gjithashtu dhe rreshtimet fetare, apo çështje të brendshme nacionale të pazgjidhura, i bëjnë këto vende apriori aleatë të mundshëm. Atyre u duhet vetëm kauza ku të kapen. Atëherë, meqë nuk mund të zhbëhen krimet e makinerisë serbe të luftës dhe të propagandës, relativizimi është i mirëpritur. Çfarë tentohet në Kosovë? Aty nuk ka pasur viktima dhe agresorë. Aty të dyja palët kanë dëmtuar popullatat civile përkatëse, serbët shqiptarët dhe shqiptarët serbët. Ka pasur masakër të Raçakut, por ka pasur dhe burgje të UÇK-së ku masakroheshin civilë. Ka pasur të djegur në furrat e Trepçes, por ka pasur dhe shtëpi në Burrel ku trafikoheshin për transplant organet e serbëve të kapur. Ka pasur deportim të shqiptarëve, por janë serbët ata që tani janë përzënë prej shtëpive të tyre. Në këtë mënyrë, opinioni publik ndërkombëtar krijon idenë e historive të zakonshme të dhunës në Ballkan. Kanceleritë//////////////////////// skeptike ndaj Republikës së Kosovës kanë një argument më shumë në dorë të tyre. Simetria e fajit krijon arsye për të vazhduar debatin. Ky është aksioni mediatik serb. Ashtu si ka dhe një aksion diplomatik, por së fundmi dhe juridik, i cili u konkretizua me shpënien për gjykim në Hagë të ligjshmërisë së Aktit të Pavarësisë së Kosovës.

Dokumentarë, filma artistikë, libra, gjithashtu qarkullojnë në Perëndim në mbrojtje të tezës së simetrisë së fajit. Po shqiptarët? Natyrisht janë shumë më prapa në këtë drejtim. Dhe kur je prapa, kur ruan pozicionin tënd mbrojtës, kur flet vetëm për ripajtim, vetëm për të drejta të të gjithë qytetarëve të Kosovës, kur nuk e përmend historinë e kaluar, ndërkohë që fotografitë e të humburve vazhdojnë të varen në kangjellat që rrethojnë godinën e qeverisë së Kosovës, atëherë frika është: gazetari e ndershme? Thënie e të vërtetave, pavarësisht se janë të hidhura për shqiptarët? Po! Por mos na i keqpërdorin serbët? Natasha Kandiç flet në vetmi për krimet që serbët kanë bërë ndaj shqiptarëve. Për nevojën e ndjesës, të cilën Beogradi nuk e ka artikuluar ende ndaj Prishtinës. Por a e godasim në shpinë Natasha Kandiçin, po qe se flasim për "krimet që ne kemi bërë"? Apo tregojmë që gjithsesi ne jemi më qytetarë, shoqëria jonë është më e shëndoshë, dhe mund të flasë për të vërtetat tona të hidhura, pa harruar dhe pa heshtur për të zezat që regjimi i Beogradit ka bërë? Historia njeh shumë njerëz që e kanë tradhtuar kauzën, megjithëse dikur i shërbenin asaj. Kjo nuk ka errësuar kauzën, kjo ka përjashtuar nga procesi i përfundimit të idealit ata, të cilët për makutëri të pushtetit, e keqpërdorën atë. "Unë dua t‘i tregoj djalit tim, se historia e UÇK-së është nga më të bukurat që ne kemi pasur", më tha një prej të ftuarve pas emisionit, "por ata që e përdhosin, ma pengojnë gjuhën". Si t‘ia bëjmë që të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët plagët nuk i kanë një kujtim, por një dhimbje të përditshme, të mos i fyejmë? Por si t‘ia bëjmë që komandantët legjendarë t‘i zhveshim nga mundësia për të përdorur legjendën e tyre edhe në kurriz të Kosovës, edhe në kurriz të qytetarëve të vrarë? Përsëri është pyetja: A ka një kohë për të folur, a ka një kohë për të heshtur? Dhe kush e përcakton se sa vazhdon heshtja?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›