E Shtunë, 31 Tetor 2026

DEJA VU-ja E KOMISIONEVE HETIMORE

Një komision hetimor parlamentar është ngritur vetëm dy muaj para zgjedhjeve. Në qendër të hetimit është kryetari i opozitës. Në qendër të akuzës është fjala korrupsion. Shihni ndonjë gjë të re deri këtu? Me siguri po mendoni se jemi para zgjedhjeve të vitit 2005.

Por ka një lajm gjithsesi në të gjithë këtë "Deja Vu all over again". Kryetari i opozitës nuk quhet Nano, por më kryesorja nuk quhet as Berisha. Paradoksi është që lufta kundër korrupsionit dhe demaskim i kundërshtarit ishte kryefjala e mazhorancës së sotme kur ishte në opozitë dhe donte të vinte në pushtet. Sot ajo është në pushtet, ka pothuajse katër vjet që qeveris vendin dhe po kërkon të rimarrë pushtetin me të njëjtat mënyra me të cilat erdhi aty ku është sot. Në një vështrim të shpejtë, gjithkush mund të mendojë që mazhoranca nuk ka strategji për të hyrë në zgjedhje dhe po përdor të njëjtat forma dhe mjete që përdori dje. Kjo qëndron sigurisht, sepse po të kishte ndonjë gjë më të mirë se komisioni hetimor i "agronomëve militantë", do ta kishim marrë vesh tani që flasim. Por, përveç mungesës së strategjisë dhe ideve për të hyrë në zgjedhje, ky komision rishtar për Edi Ramën, duket se është menduar të jetë një balancim i "Gërdecit", që sigurisht do të jetë një nga temat më të nxehta të fushatës që po vjen. Paçka se sot nuk mund të gjesh asnjë mendje normale që mund të pretendojë se "Gërdeci" ka të barasvlefshëm. Përtej kësaj panorame të shpejtë, kronologjia e komisioneve hetimore ia vlen të shihet me vëmendje, çfarë janë dhe çfarë përfaqësojnë ato. E sigurt është që të tilla komisione, pavarësisht se si i ka ndryshuar emri në 60-70 vitet e fundit të historisë së Shqipërisë, nuk janë pjellë apo shpikje e Sali Berishës. Ato janë produkt i diktaturës së Enver Hoxhës, që herë quheshin mbledhje e organizatës bazë të partisë, herë të këshillit të lagjes. Ato ishin formati, ku pasi ishte demaskuar armiku i radhës, i bëhej gjyqi pa gjyq i Enver Hoxhës.

Sot, komisionet hetimore nuk janë gjë tjetër veçse zgjatim i këtij lloj mentaliteti komunist, ku bartësi i tij më tipik është padyshim Sali Berisha, për të cilin nuk ekziston as prokuroria, as ligji, as shteti. Megjithatë është i pafuqishëm për ta çuar deri në fund standardin komunist, sepse në dallim nga Enveri, fatmirësisht ai sot nuk është prokurori i Shqipërisë. Por... bën të vetën me aq sa mundet.

Përtej kësaj psikologjie që të kthen pa frikë 50 vjet prapa, ia vlen të kujtojmë disa nga komisionet hetimore të parlamenteve të dikurshme dhe çfarë kanë sjellë ato në spektrin politik shqiptar. Që të gjithë kanë pasur në përbërje deputetë pa shumë lidhje me ligjet, sferat juridike apo ekonomike, por kryesisht ata më militantët që nuk dinë kurrë të pushojnë apo dëgjojnë krahun opozitar. Që të gjitha këto komisione kanë pasur si qëllim të parë dhe të fundit përbaltjen e çdokujt që i ka zënë rrugën Berishës dhe që është kundërshtari më i fortë për momentin, qoftë ky kryetari i partisë përballë, apo Prokurori i Përgjithshëm që nuk i bindet.

Nuk ka kaluar edhe aq kohë sa mos mbahen mend komisionet hetimore për ish-kryeministrin Nano. Por, paradoksi i madh qëndron se me të ardhur në pushtet Kryeministri i sotëm, nuk ka çuar as edhe një radhë në prokurori në adresë të ish-kryeministrit, as edhe një dosje apo fakt për të provuar gjithë malin e akuzave ndaj tij, akuza që shqiptarët i mësuan përmendësh dhe që në fund u përmblodhën me deklaratën që prodhoi një komision simotër me këtë për Ramën. Jo vetëm që për Nanon nuk u fol më, por Berisha shpejtoi të priste shiritat dhe ndante tenderët që la Nano përgjysmë, me shumë herë më pak transparencë dhe shumë herë më tepër përfolje se tenderët që Nano arriti të mbarojë. Në një kufi shumë të shkurtër kohor, në më pak se katër vjet qeverisje, që nga Basha deri te Fazliçi, qeveria e sotme e ka merituar përfundimisht statusin e të korruptuarit. Ngritja e një komisioni tipik komunist me asnjë vlerë morale po as edhe ligjore, nuk është gjë tjetër veçse frikë nga zgjedhjet dhe shpërqendrim i vëmendjes së publikut nga zullumet e qeverisë. Nga ana tjetër, Rama jo vetëm që nuk është i pari kundërshtar i Berishës që i ngrihet padia komuniste në mes të fshatit, por nuk e ka as për herë të parë një eksperiencë të tillë. Vetëm pak para zgjedhjeve lokale u ngrit një hetim enkas për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Hetimi dështoi, ashtu sikur dështoi dhe PD-ja në marrjen e pushtetit vendor në Tiranë.

Një gjë nuk kuptohet në gjithë këtë mesele me komisione hetimore: pse i duhen tri javë kohë një komisioni të tillë, kur deklarata përfundimtare ka kohë që është formuluar dhe shqiptarët e kanë të qartë se çfarë përmban. Është e njëjta deklaratë si për Nanon apo dhe për Sollakun, të cilës mjafton t‘i ndërrosh emrin e të "pandehurit" dhe misioni është i kryer.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›