E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristiano Ronaldo: Tri pikët me Shqipërinë janë të rëndësishme

Kristiano Ronaldo, ylli i kombëtares portugeze, deklaron se tri pikët përballë Shqipërisë janë shumë të rëndësishme. Mesfushori i krahut, që këtë vit është favoriti kryesor për të fituar çmimet "Lojtari më i Mirë" dhe "Topi i Artë", kërkon nga skuadra që të mos bëjë hapa falsë. Për sfidën e së mërkurës, lojtari që ka meritat kryesore në triumfin e Mançester Junajted në Ligën e Kampioneve, kërkon edhe mbështetjen maksimale të tifozëve luzitanë. Ronaldo u shfaq optimist për takimin që do të luhet në orën 21:45 në Bragë: "Nuk duhet të flasim më për ndeshjet që kanë ikur, por të fillojmë që tani të mendojmë për sfidën e mesjavës me Shqipërinë. Duhet t‘i marrim këto tri pikë, të cilat janë shumë të rëndësishme për ecurinë tonë në grup dhe kërkoj mbështetjen maksimale të tifozëve". 23-vjeçari është paraqitur në formë të jashtëzakonshme në rikthimin në aksion me përfaqësuesen, pas operacionit në kavilje. Ai ishte lojtari më i mirë i Portugalisë në barazimin e fundjavës që kaloi në Suedi dhe padyshim që do të jetë rreziku kryesor për kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han. Mesfushori e vlerësoi pikën e marrë në duelin direkt me Ibrahimoviç: "Do të kishte qenë më keq nëse do të humbnim. U përballëm me një prej përfaqësueseve më të mira në Evropë dhe jo me një skuadër dosido, tha lojtari. Në minutat e para të lojës hasëm disa vështirësi: vuajtëm për afro 25 minuta, por skuadra reagoi mirë. Me kalimin e kohës fituam terren në fushë dhe kishim raste për shënim. Gjithsesi, skuadra duhet përgëzuar për lojën e saj".

Një tjetër yll në fushë për portugezët do të jetë Dani Alvesh, i cili do të zëvendësojë të dëmtuarin Deko. Lojtari i Zenit St. Petersburg, që me transferimin prej 30 milionë eurosh nga Dinamo e Moskës është lojtari më i shtrenjtë në Premierligën ruse, beson te fitoja me Shqipërinë. Gjithsesi, ai vlerëson lojën e skuadrës tonë, e cila ka treguar një mbrojtje solide sa herë përballet me ekipe të mëdha dhe pret një përballje të vështirë. "Kemi parë disa fragmente nga ndeshja e Shqipërisë me Suedinë, ku ata dolën në barazim pa gola, dhe konkluzioni është se luajmë kundër një skuadre që mbron mjaft mirë, në bllok e thuajse gjithë kohën të tërhequr. Do ta kemi të vështirë, por do të japim maksimumin që të fitojmë tri pikët", tha fantazisti. "Edhe unë shpresoj të jap kontributin për skuadrën. Formacioni? Janë grumbulluar 22 lojtarë që mund të luajnë fare mirë si titullarë. Gjithsesi, në fund është trajneri ai që vendos se cilët do të luajnë. Portugalia ka një nga skuadrat më të mira në botë, por kjo shkakton edhe probleme. Kundër nesh të gjitha skuadrat mendojnë të mbrohen mirë dhe më pas të tentojnë rezultate pozitive, pse jo edhe fitore. Të gjitha skuadrat luajnë shumë të motivuara kundër nesh".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›