E Diel, 1 Nëntor 2026

Kueiros: I sigurt për 3 pikët ndaj kuqezinjve

Portugalia po afrohet drejt ndeshjes së të mërkurës e katërt në eliminatoret e Botërorit 2010, me trajnerin Karlos Kueiroz, i cili nuk dyshon aspak në kualifikimin e skuadrës së tij drejt Afrikës së Jugut. "Pa dyshim, unë jam i bindur se do të kualifikohemi (për në Afrikën e Jugut), tha Kueiros pas barazimit 0-0 ndaj Suedisë në Stokholm të shtunën. Me lojtarët që kemi, është shumë e mundshme arritja e objektivit". Në ndeshjen kundër Shqipërisë trajneri portugez nuk do të ketë në dispozicion të dëmtuarit Manike, "playmaker"-in Deko, mbrojtësin qendror Rikardo Karvajo dhe Simao Sabrosën. Megjithatë është i bindur se do të rikthehet te 3-pikëshi, pikërisht të mërkurën: "Kundër Shqipërisë ju them me bindje, se do të marrim fitore. Besoj se kjo që po them nuk është e ekzagjeruar". Ndërkohë që dje është bërë i njohur edhe çmimi i biletave për ata që do ta ndjekin ndeshjen direkt në stadiumin e Bragës, ku bie në sy çmimi shumë i arsyeshëm i tyre: bileta më e shtrenjtë është ajo në tribunën kryesore, e cila kushton 20 euro. Për ata që do të preferojnë ta shikojnë ndeshjen nga tribuna përballë, do të duhet të paguajnë 15 euro. Biletat për tribunat anësore kanë koston e 10 eurove, ndërsa ato pas porte vetëm 5 euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›