E Diel, 1 Nëntor 2026

Eduard Abazaj: Portugalia, përballë një mesfushe të fortë

Eduard Abazaj, një prej idhujve të futbollit shqiptar, flet për ndeshjen e së mërkurës, ku Portugalia pret në fushën e saj Shqipërinë. Ish-lojtari i Dinamos, i cili numëron 18 prezenca me kombëtaren (dhe 2 gola të shënuar), është futbollisti i vetëm nga vendi ynë që ka luajtur në kampionatin luzitan. Në vitet ‘90 ai u transferua te Boavista (në sezonin 1994-‘95 kur më parë kishte luajtur 4 sezone me kroatët e Hajdukut të Splitit), ndërsa më pas ka milituar për katër vjet tek Akademika (me një ndërprerje gjashtëmujore pas huazimit te Mançester Siti). Në moshën 39-vjeçare, tashmë Abazaj është tërhequr nga futbolli dhe jeton në Koimbra, por pret me ankth sfidën e mesjavës. Për "Maisfutebol", ai ka folur për potencialin e skuadrës së drejtuar nga Ari Han, që pas tri ndeshjeve të para ka grumbulluar 4 pikë në eliminatoret e Botërorit 2010, po aq sa edhe Portugalia. "Shqipëria luajti në shtëpi në dy takimet e para dhe mori maksimumin. Kemi një skuadër të mirë, e cila është e vështirë për t‘u mundur. Portugalia do të përballet me një mesfushë të fortë, ku lojtari më i spikatur është Lorik Cana. Do më pëlqente që Shqipëria të luante pa frikë përballë skuadrës së Kueiroz, të zhvillojë një ndeshje të hapur". Gjithsesi, Eduard Abazaj pohon: "Diferenca e kualiteteve në fushë do të jetë e madhe. Përpara eliminatoreve mendoja se Portugalia do të siguronte kualifikimin përpara Vitit të Ri, duke fituar ndeshjet me Danimarkën, Suedinë dhe natyrisht me Shqipërinë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›