E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – Dita e tretë e bisedimeve për paqen në Gaza, Witkoff i bashkohet takimit

KAJRO, 8 tetor /ATSH/- Izraeli dhe Hamasi kanë hyrë sot në ditën e tretë të bisedimeve të paqes në një vendpushim egjiptian, ku pritet të bashkohen më shumë zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe vendet ndërmjetëse – për të trajtuar çështjet më të vështira të planit të SHBA-së – për t’i dhënë fund luftës në Gaza, sipas AP.

Hamasi tha se po kërkon garanci të forta nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ndërmjetësit – duke shtuar se Izraeli nuk do të rifillonte fushatën e tij ushtarake në territorin palestinez – pasi grupi militant të lirojë të gjithë pengjet e mbetura.

Të gjitha palët kanë shprehur optimizëm për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare – me dhjetëra mijëra palestinezë të vrarë dhe pjesën më të madhe të Rripit të Gazës të shkatërruar.

Por, pjesët kryesore të planit të paqes ende nuk janë përcaktuar – duke përfshirë kërkesat që Hamasi të çarmatoset, kohën dhe shkallën e tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza dhe krijimin e një organi ndërkombëtar – për të drejtuar Gazën pasi Hamasi të largohet nga pushteti.

Kryeministri dhe diplomati më i lartë i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, po shkonte në qytetin bregdetar egjiptian Sharm el-Sheikh për t’u bashkuar në bisedime.

“Gjithashtu, sot pritet të marrin pjesë, i dërguari i Trump në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner”, sipas një zyrtari amerikan.

“Nga pala izraelite, këshilltari më i lartë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, Ron Dermer, do të bashkohet gjithashtu”, tha një zyrtar izraelit, duke folur në kushte anonimiteti.

Ndërsa ndërmjetësuesit e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së u takuan me të dyja palët në bisedime paraprake sot në mëngjes, një zyrtar i lartë i Hamasit, Taher Nounou, tha se grupi kishte shkëmbyer një listë të të burgosurve palestinezë – që kërkon të lirojë – në këmbim të pengjeve izraelite sipas kushteve të marrëveshjes.

Plani i paqes i Trump

Plani kërkon një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e 48 pengjeve që militantët në Gaza ende i mbajnë – pas sulmit të tyre të papritur, më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, i cili filloi luftën dhe shkaktoi hakmarrjen shkatërruese të Izraelit. Besohet se rreth 20 nga pengjet janë ende gjallë.

Ai parashikon tërheqjen e trupave të Izraelit nga Gaza – pasi Hamasi të çarmatoset dhe vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie.

Territori do të vendoset nën një qeverisje ndërkombëtare, ndërsa Trump dhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair do ta mbikëqyrin atë.

Presidenti egjiptian Abdel-Fattah el-Sissi tha sot se negociatat deri më tani “kishin qenë shumë inkurajuese”.

Në një deklaratë dje, Hamasi përsëriti kërkesat e tij të hershme për një armëpushim të qëndrueshëm dhe një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza, por nuk tha asgjë për çarmatimin, një hap të cilit i është rezistuar prej kohësh.

Hamasi gjithashtu ka folur kundër idesë së qeverisjes ndërkombëtare, megjithëse është pajtuar se nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës pas luftës.

Duke folur në Sharm el-Sheikh, Khalil al-Hayya, negociatori kryesor i Hamasit, tha se grupi kërkonnte garanci të forta nga Trump dhe ndërmjetësuesit – se lufta “nuk do të kthehej”.

Në janar, të dy palët arritën një marrëveshje armëpushimi – që solli lirimin e disa pengjeve izraelite në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Sipas marrëveshjes – në të cilën Trump dhe Witkoff luajtën një rol të madh në ndërmjetësim – të dy palët duhej të hynin në negociata për një armëpushim afatgjatë, një tërheqje të forcave izraelite dhe lirimin e plotë të pengjeve.

Por, Izraeli “e theu” armëpushimin në mars, duke rinisur fushatën e tij të bombardimeve dhe ofensivave, dhe duke thënë se synonte të bënte presion mbi Hamasin për lirimin e pengjeve të mbetura. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›