E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – Irritim rajonal, pas sulmit izraelit kundër një lidershipit të Hamasit në Katar

TEL AVIV, 9 shtator /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite tha sot se goditi udhëheqjen e grupit militant palestinez Hamas në shtetin e Gjirit të Katarit.

“Për vite me radhë, këta anëtarë të udhëheqjes së Hamasit kanë udhëhequr operacionet e organizatës terroriste, janë përgjegjës drejtpërdrejt për masakrën brutale të 7 tetorit dhe kanë orkestruar dhe menaxhuar luftën kundër shtetit të Izraelit”, shkruan Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në X.

Kanali arab i lajmeve ”Al Arabiya” raportoi se, sipas informacioneve paraprake, kryenegociatori i Hamasit Khalil al-Hayya u vra në sulm.

Nuk kishte konfirmim të menjëhershëm zyrtar për vdekjen e tij ose të udhëheqësve të tjerë të Hamasit.

Burime të Hamasit i thanë transmetuesit ”Al Jazeera” se sulmi kishte në shënjestër ekipin negociator të grupit.

Al-Hayya është figura më e lartë e Hamasit jashtë vendit dhe ka kryesuar delegacionin e tij në bisedimet indirekte të armëpushimit me Izraelin, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës së tij në Katar.

Ministria e Jashtme e Katarit “dënoi me forcë sulmin frikacak izraelit” ndaj rezidencave të udhëheqësve të Hamasit në Doha, duke e quajtur atë “një shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare” që kërcënon “sigurinë e katarianëve dhe banorëve”.

Imazhet nga Doha treguan tym që ngrihej mbi qytet dhe një ndërtesë të dëmtuar, me një automjet të zi të parkuar jashtë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij mori përgjegjësinë e plotë për operacionin.

“Veprimi i sotëm kundër krerëve kryesorë terroristë të Hamasit ishte një operacion tërësisht i pavarur izraelit. Izraeli e nisi atë, Izraeli e kreu atë”, tha zyra e tij.

”Kanali 12” i Izraelit kishte raportuar më parë se presidenti i SHBA-së Donald Trump e miratoi sulmin paraprakisht.

Irani gjithashtu e dënoi sulmin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghaei tha se ishte “një shkelje e parimeve, objektivave dhe rregullave të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

Ministri i Jashtëm jordanez Ayman al-Safadi e denoncoi sulmin si një “akt frikacak agresioni”, duke e quajtur atë “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” dhe pjesë të “agresionit brutal izraelit” që kërcënon stabilitetin rajonal.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, këshilltari presidencial Anwar Gargash e përshkroi atë si një “sulm të pabesë izraelit”, ndërsa Ministri i Jashtëm Abdullah bin Zayed shkroi në X se Emiratet e Bashkuara Arabe qëndrojnë “në solidaritet të plotë me Katarin”.

Izraeli ka kohë që ka kërkuar mbylljen e zyrës së Hamasit në Doha, e cila u hap në vitin 2012 pas Pranverës Arabe.

Që atëherë, Katari ka pritur negociata për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara.

Dhjetë ditë më parë, zëvendësshefi i shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, paralajmëroi udhëheqësit e Hamasit jashtë vendit se ata do të ishin në shënjestër, pas vrasjes së zëdhënësit të grupit, Abu Obeida.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, gjithashtu u zotua për operacione të intensifikuara, duke paralajmëruar Hamasin të hënën se “rrufeja tani po hiqet nga portat e Ferrit në Gaza”.

Hamasi tha pas sulmit se ishte gati për “negociata të menjëhershme” dhe mirëpriti “çdo veprim që ndihmon përpjekjet për të ndaluar agresionin kundër popullit tonë”.

Izraeli ka synuar vazhdimisht figura të Hamasit, përfshirë Yahya Sinwar, i cili shihet si truri i sulmeve të 7 tetorit, dhe komandantin e lartë Mohammed Deif.

Gjithashtu vrau udhëheqësin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një sulm në Teheran vitin e kaluar./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›