E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KQZ: Afati 5-ditor për ankesat rreth listës së zgjedhësve, i pazbatueshëm

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka nisur një shkresë partive politike ku shprehet se rregullimet e parashikuara në nenin 25, pika 8, të Kodit Zgjedhor, me shumë mundësi nuk do të gjejnë zbatim praktik.

Ai thekson se nga përmbajtja e kësaj dispozite duket se objektivisht është e pamundur të realizohet procesi i votimit nga jashtë vendit në afatin 5-ditor të parashikuar.

Për këtë Celibashi propozon të ndryshohet neni 25, pika 8.

Celibashi shprehet se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet për zhvillimin e votimit nga jashtë për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.

Në kuadër të këtyre përgatitjeve, si dhe në vlerësim të takimeve konsultuese që KQZ-ja ka zhvilluar me përfaqësues të aktorëve të ndryshëm, Celibashi çmon se rregullimet e parashikuara në nenin 25, pika 8, të Kodit Zgjedhor, me shumë mundësi nuk do të gjejnë zbatim praktik.

Sipas parashikimeve të kësaj dispozite, shprehet ai, zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve, kur vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi. Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën brenda 24 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës, por jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit, që i shtohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

“Në vlerësimin tonë, – vijon shkresa e Celibashit, – nga përmbajtja e kësaj dispozite duket se objektivisht është i pamundur të realizohet procesi i votimit nga jashtë vendit në afatin 5-ditor të parashikuar. Nga momenti që gjykata pranon kërkesën e zgjedhësit, ngelen vetëm 5 ditë për t’i dërguar atij fletën e votimit dhe për kthimin e saj mbrapsht në KQZ.”

Për sa më sipër, Celibashi propozon që kërkesa për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të paraqitet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe online nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën, nëpërmjet kësaj platforme, brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit, që i shtohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

Ky ndryshim, shton Celibashi, do t’i siguronte zgjedhësit nga jashtë mundësinë reale për të ushtruar të drejtën e tij përmes një procesi të thjesht dhe të aksesueshëm pa u penguar nga distanca gjeografike dhe kohore.

Në këto rrethana, Celibashi propozon të ndryshohet neni 25, pika 8.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›