E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KQZ: Domosdoshmëri pjesëmarrja aktive e të rinjve në proceset zgjedhore

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar sot një aktivitet në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve, një ngjarje që mbahet çdo të enjte të parë të muajit shkurt.

Kjo ditë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen qytetare në proceset demokratike, me një fokus të veçantë te votuesit që përballen me pengesa në përfshirjen e tyre, si të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara, gratë e nën-përfaqësuara, pakicat dhe grupet e tjera që kanë më pak zë në jetën sociale dhe politike”.

KQZ organizoi një aktivitet të veçantë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, ku morën pjesë maturantët e shkollës, shumica e të cilëve do të jenë votues për herë të parë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, më 11 maj 2025.

Gjatë takimit, u zhvillua një bashkëbisedim i hapur mbi të drejtën dhe rëndësinë e votës, si dhe domosdoshmërinë e pjesëmarrjes aktive në proceset zgjedhore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të të rinjve jo vetëm si votues, por edhe si kontribues aktivë në administrimin e zgjedhjeve, përmes angazhimit si operatorë të pajisjeve elektronike të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte simulimi i procesit të votimit elektronik, ku maturantët patën mundësinë të testojnë pajisjet e votimit dhe numërimit, duke përfituar një përvojë praktike dhe një kuptim më të thellë të funksionimit të teknologjisë në zgjedhje.

Në përfundim, KQZ shpërndau certifikata pjesëmarrjeje për të gjithë të rinjtë që morën pjesë në këtë aktivitet, duke vlerësuar angazhimin e tyre dhe duke inkurajuar një kulturë më të gjerë të përgjegjësisë qytetare.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›