KQZ: Kallëzim penal për administratorët e votimit dhe numërimit të votave në Lezhë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot të ndërmarrë një hetim të thellë lidhur me manipulimin e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur të çojë për ndjekje penale, kryetarët dhe anëtarët e KZAZ-së nr.13 të Lezhës për abuzimet me numërimin e votave në zgjedhjet e 23 Qershorit. KQZ ka kërkuar që anëtarët e komisioneve që kanë bërë shkelje, të ndiqen penalisht dhe të mos jenë më anëtarë në zgjedhje të reja. Anëtari i KQZ-së Klement Zguri ka kërkuar që jo vetëm numëruesit, por edhe vëzhguesit dhe përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore që kanë pranuar shifrat e gabuara duhen penalizuar.
“Kolegji jep një lloj amnistie, numëron votat. Veprimi i tij ishte i kundraligjshëm nga një vendimi që u mor nga një strukturë tjetër. Pra, sistemi mbetet korruptiv, tha Zguri.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve gjithashtu miratoi sot edhe vendimin për regjistrimin e subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet vendore që do të mbahen në datën 1 shtator në komunat Dardhas të Qarkut të Korçës si dhe në komunën Rrethinë në Qarkun e Shkodrës.
Për zgjedhjet nga ku do të zgjidhen dy krerët e komunave do të marrin pjesë Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat do të garojnë sëbashku si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” si dhe Partia Demokratike e Shqipërisë.
Gjithashtu KQZ miratoi sot edhe modelin e fletës së votimit e cila do të përdoret në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas në Korçë dhe për kryetarin e Komunës Rrethina në Shkodër.