KQZ: Lista zgjedhore do shkojë në arkivën e shtetit
Përfaqësuesit e PS-së kanë braktisur mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ndërkohë që KQZ pa praninë e tyre, vetëm me 4 vota ka vendosur pro vendimit që lista zgjedhore të shkojë në arkivën e shtetit.
Sipas këtij propozimi lista e zgjedhësve do të shkojë në arkivën e shtetit dhe do të shpallet material i klasifikuar.
Ndërkohë shqyrtimi i listës zgjedhore është shoqëruar me debate të ashpra mes nënkryetares së KQZ-së Dëshira Subashi dhe kreut Arben Ristani.
Në fjalën e saj nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi është shprehur kundër shqyrtimit të këtij akti pasi sipas saj është i pavlefshëm pasi është në kundërshtim me kodin zgjedhor.
Sipas saj ky akt nuk mund të shqyrtohet pasi ajo si nënkryetare e KQZ-së nuk e ka firmosur duke shtuar se ky akt hyn në fuqi vetëm pas firmës së nënktyrtarit.
“Ky akt është i pavlefshëm për t`u marrë në konsideratë dhe për t`u vënë në rendin e ditës, dhe është në kundërshtim të hapur me kodin zgjedhor” theksoi Subashi duke shtuar se ky është një akt nul që nuk prodhon efekte.
Gjithashtu Subashi ka kritikuar urdhërin e kryetarit Arben Ristani, duke e vlerësuar atë si të qëllimshëm për të larguar komisionerët e opozitës.
“Akti i 29 dhjetorit shmangu listat. Shmangia ka pasur si qëllim largimin e komisionerëve të opozitës. Gjithashtu, ky akt nuk mund të shqyrtohet në mbledhjen e KQZ-së, pasi nuk është në kompetencën e tij”, ka theksuar Subashi.
Ndërsa Ristani ka fajësuar vetë komisionerët e opozitës për mungesën e tyre në diskutimin e 29 dhjetorit që sipas tij nëse përfaqësuesit e PS-së nuk do të ishin larguar nga mbledhja atëherë KQZ-ja do të gjente konsensus dhe do ta kishte votuar atë unanimisht.