Rama: Vendimi i KQZ-së për fletët, i pavlefshëm
Kryetari i PS-së Edi Rama e ka cilësuar si të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, Rama ka theksuar se në kodin zgjedhor është shkruar qartë se pa firmën e nënkryetarit të KQZ-së çdo akt që mban vetëm firmën e kryetari është i pavlefshëm.
Sipas tij ky akt tregon më së miri se kryeministri Berisha i vodhi votat e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe është fajtori për refuzimin e statusit të vendit kandidat për në BE.
“Saliu dhe Jozefina tallen me qytetarët duke thënë se vizat e kishte qeveria ndërsa statusin e ka opozita, por refuzimi i statusit është një vizë e kuqe mbi keqqeverisjen e Saliut dhe Jozefinës” theksoi Rama duke shtuar se faji për refuzimin e statusit e ka kryeministri Berisha që sipas tij mes standarteve europiane dhe korrupsionit ka zgjedhur këtë të fundit.
Gjithashtu kreu i PS-së ka kërkuar edhe largimin e qeverisë pasi sipas tij ajo është një kërcënim i hapur për demokracinë dhe drejtësinë e vendit.
“Ne do të vazhdojmë me të gjitha energjitë që ta mundësojmë largimin e kësaj qeverie me protesta dhe deri tek zgjedhjet që nuk do të lejojmë që të përsëritet i njëjti krimit elektoral” theksoi më tej Rama.
Gjithashtu kreu i PS-së Rama deklaroi se opozita nuk do të sprapset nga nisma e saj për të shkarkuar kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli edhe pse kjo forcë politike nuk i ka numrat e nevojshëm në Parlament.