E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, diskutime për djegien e fletëve të votimit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur sot diskutimet për përcaktimin e datës dhe fondit për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 8 majit.

Projekt vendimi është kundershtuar nga avokatët e Partisë Socialiste në KQZ, të cilët e quajnë atë të parakohshëm përsa kohë në Prokurori ka një kallëzim penal të bërë nga socialistët ku objekt hetimi janë pikërisht fletët e votimit të cilat do të digjen.

Në mbledhjen e sotme nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi ka kërkuar gjtihashtu përfshirjen si bazë ligjore të udhëzimit të 2006-ës të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

“Nuk mund të bëjmë hapa prapa duke i dhënë kopetenca edhe kryetarit për këtë proces. Propozoj që së pari të kalojmë në një udhëzim të KQZ-së dhe së dyti t`i drejtohemi me një letër prokurorisë për të sqaruar bazën ligjore dhe materialin zgjedhor që ne disponojmë” ka theksuar Subashi

Sipas Subashit neni përkatës nuk ka ndryshuar dhe për rrjedhojë udhëzimi i miratuar në 2006-ën mbetet në fuqi dhe duhet të pasqyrohet në projektaktin e KQZ-së.

Ndërsa kreu i KQZ-së Arben Ristani ka kërkuar nga përfaqësuesit e PS-së të paraqesin një draft në lidhje me ndryshimet në udhëzim.
“Sillni draftin se paraqisini se në cilat pika duhet të ndryshohet dhe bisedojmë. Duhet të përfshihni në projektakt edhe udhëzimin” ka theksuar Ristani.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›