E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ do të numërojë kutitë e Fierit vetëm nëse ka ankesa

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të numërojë 9 kutitë e 4 KZAZ të Fierit, vetëm nëse ka ankim nga ndonjë forcë politike. Vendimi është marrë pas debateve mes anëtarëve të KQZ në mbledhjen e thirrur paraditen e së hënës. Përfaqësuesja e PS në këtë institucion znj.Subashi ka kërkuar që për kutitë e Fierit, të ndiqet e njejta procedurë si për kutitë e KZAZ-së së Fushë-Kuqes, votat e të cilave u numëruan në KQZ. Por kryetari Ristani ka kundërshtuar, duke argumentuar se Fieri dhe Fushë-Kuqja janë dy raste të ndryshme. Në kutitë e ardhura nga KZAZ 18, 19,20, dhe 22 të Qarkut Fier, kanë qenë tabelat përmbledhëse të rezultateve. Sipas Kodit Zgjedhor në këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk mund të bëjë një numërim të dytë. Vetëm nëse ka një ankim nga Partitë Politike KQZ, mund të vendosë për rinumërimin e fletëve të votimit. Një ankim i tillë nuk ka mbërritur në këtë institucion, pasi pritet më parë të hartohet tabela përfundimtare për Qarkun e Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›