Shirat e mëngjesit të sotëm përmbysin Durrësin
Rreshjet e rëna për më shumë se dy orë, kanë bërë që qyteti i Durrësit të zgjohet këtë mëngjes si Venecia. Shiu ka përmbytur disa lagje e rrugë kryesore, duke shkatuar kaos në qarkullimin e mjeteve dhe të kalimtarëve. Zonat më problematike vazhdojnë të mbeten ajo e kryqëzimit pranë stacionit të trenit, e cila u përmbyt tërësisht dhe Shkozeti. E njejta situatë është konstatuar edhe në zonën e Spitallës si dhe në atë të Plazhit, të njohura si vende problematike sa herë që bie shi. Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke përmbytur dhe katet e para të banesave, ku për pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Bashkia e Qytetit tha se, hidrovori në Porto Romano ka funksionuar me kapacitet të plotë dhe sqaroi se në rastet e rrebesheve si ky i natës së kaluar, kanalizimet dhe hidrovori nuk e përballojnë dot ngarkesën.