E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ do të përzgjedhë “hetuesit” e shpenzimet financiare të PD-së dhe PS-së

14/09/2009  Kreu i institucionit, Ristani, thërret mbledhjen për hedhjen e shortit

Partitë kryesore “hodhën” shuma marramendëse për fushatën elektorale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të përcaktuar ekspertët kontabël që do të kontrollojnë shpenzimet e fushatës së partive politike. Mbledhja me rend dite “Shqyrtimin e projektvendimit ‘Për shpalljen e rezultatit të shortit për emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore’”, do të përzgjedhë me anë të shortit 65 ekspertë. Ata do të hetojnë financat e 34 subjekteve politike pjesëmarrëse në garën për zgjedhjet e 28 qershorit. Procedurën për mënyrën e organizimit të punës e përcakton qartë Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i KQZ-së për këtë çështje. Në seancën e sotme do të jenë të pranishëm të gjithë ekspertët kontabël të autorizuar, përfshirë në listën përzgjedhëse të përfaqësuesve të partive politike. Për organizimin e shortit do të marrin pjesë edhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit ose përfaqësuesit e tyre me prokurë. Shorti për përzgjedhjen e tyre bëhet përmes një ene transparente me gogla. Në enë futen aq gogla sa është numri i ekspertëve pjesëmarrës në short dhe në secilën prej goglave futet nga një shirit letër, ku shënohet emri i ekspertit kontabël pjesëmarrës në short. Do të jenë përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore ata që do të tërheqin me radhë një gogël nga ena. Eksperti kontabël emri i të cilit do të jetë shënuar në shiritin e letrës që ndodhet brenda goglës, do të jetë eksperti kontabël i licencuar, i cili do të auditojë fondet dhe shpenzimet e subjektit zgjedhor që tërheq goglën. Edhe radha e tërheqjes së goglave nga përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore përcaktohet me parashort. Referuar eksperiencave të mëparshme, pavarësisht konstatimeve, asnjë parti nuk është gjobitur për shkelje të ligjit për dhurimet që ka përfituar gjatë fushatës. Dy partitë kryesore (PD-ja dhe PS-ja) u përfolën për shpenzime marramendëse gjatë fushatës elektorale të 28 qershori.

Kodi Zgjedhor

Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar, që mund të bëjë verifikimin e të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me çështjen si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë. KQZ-ja publikon raportet e auditimit jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›