E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza, plan për rritje pagash të prokurorëve e oficerëve

14/09/2009  Buxheti i miratuar nga ministria përputhet me kërkesat e Prokurorisë

Specialistët e Prokurorisë së Përgjithshme pak kohë më parë kanë hartuar planin buxhetor të këtij institucioni, ku prioriteti kryesor për financimet e vitit 2010 janë rritja e pagave të prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Përmirësimi i sistemit të pagave për njerëzit e akuzës dhe oficerët është parashikuar me një rritje mesatare prej 25 për qind, ku mësohet se pagat e prokurorëve të të gjitha niveleve të rriten mesatarisht 20 për qind dhe për oficerët e Policisë Gjyqësore, pagat të rriten mesatarisht 30 për qind. Pritet që vendimi për shtimin e pagës mujore do të merret, atëherë kur Parlamenti me një seancë të posaçme të votojë buxhetin shtetëror, që Ministria e Financave u ka shpërndarë të gjitha institucioneve shtetërore. Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike në Prokurorinë e Përgjithshme, miratimi i kërkesës për rritjen e pagave do të sillte shumë cilësi në punën hetimore të prokurorëve si dhe në të njëjtën kohë, vendimi do të ndikonte në uljen e shkallës së korrupsionit në radhët e tyre. Planifikimi i rritjeve të rrogave ka ardhur në mbështetje me orientimet e Misionit Evropian i Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), i cili parashikon që minimumi i pagës së kënaqshme për një prokuror të Prokurorisë së rrethit gjyqësor të jetë në nivelin e 1500 eurove në muaj. Ndërkohë që tashmë paga mujore e një prokurori të nivelit të sipërcituar luhatet në shumën financiare prej 95.000 lekë. Mësohet se aktualisht Ministria e Financave ka parashikuar që të verë në dispozicion të arkës së Prokurorisë shumën financiare prej 1.402.000 mijë lekë të reja, shifër kjo që është e barabartë me kërkesat e organit të akuzës për vitin 2010. Duke pasur një buxhet më të lartë se ai i viteve të shkuara, drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme kanë parashikuar, që përveç rritjeve të pagave, të shtojnë edhe numrin e administratës, e cila aktualisht kap shifrën prej 807 punonjësish. Projekti është që numri i tyre të ritet me 31 punonjës, për arsye, se në 6 rrethe të vendit janë hapur zyra kundër Krimit Ekonomik, por edhe për faktin se në krahasim me vitin 2007, viti 2008 ka një rritje prej rreth 9 për qind të kallëzimeve penale të regjistruara. Kështu duke parë numrin e madh të dosjeve ( 17 mijë e 352 çështje penale), për vitin 2010 organi i akuzës ka kërkuar shtimin e administratës me 11 prokurorë, 6 oficerë të Policisë Gjyqësore, dhe 14 punonjës të shërbimit civil, si drejtorë, shefa sektori dhe specialistë. Numri i prokurorëve dhe oficerëve që do të miratohet, do të shërbejë për njësitë Task-Forcë të ngritura në rrethe, ndërsa numri 14 i punonjësve civilë, do të shërbejë për ti ardhur në ndihmë 22 prokurorëve në zyrën qendrore të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkohë që rëndësi i është kushtuar edhe investimeve buxhetore ku për vitin 2010 ato kapin shifrën totale prej 170 000 mijë lekë të reja. Për ndërtimin e ri të godinave është parashikuar fondi prej 110 000 mijë lekë te reja. Nga kjo shumë financiare, 50 000 mijë lekë është parashikuar fondi për ndërtimin e godinës së Prokurorisë në qytetin e Korçës, ndërsa për ndërtimin e Prokurorisë së Elbasanit është parashikuar fondi prej 60 000 mijë lekë të reja. Gjithashtu rëndësi u është kushtuar edhe rikonstruksionit të godinave të tjera të prokurorive në rrethe si dhe blerja e disa pajisjeve të teknologjisë së lartë për zyrën e përgjimeve. Një sasi e konsiderueshme lekësh do të investohen edhe në mirëmbajtjen e rrjetit kompjuterik, kamerave të sigurisë si dhe në sistemin e ngrohjes së ambienteve të prokurorive.

Planifikimi i rrogave

Planifikimi i rritjeve të rrogave ka ardhur në mbështetje me orientimet e Misionit Evropian i Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), i cili parashikon që minimumi i pagës së kënaqshme për një prokuror të Prokurorisë së rrethit gjyqësor të jetë në nivelin e 1500 eurove në muaj. Ndërkohë që tashmë paga mujore e një prokurori të nivelit të sipërcituar luhatet në shumën financiare prej 95.000 lekë. Mësohet se aktualisht Ministria e Financave ka parashikuar që të vërë në dispozicion të arkës së Prokurorisë shumën financiare prej 1.402.000 mijë lekë të reja, shifër kjo që është e barabartë me kërkesat e organit të akuzës për vitin 2010.

Shtimi i administratës

Duke parë numrin e madh të dosjeve ( 17 mijë e 352 çështje penale), për vitin 2010 organi i akuzës ka kërkuar shtimin e administratës me 11 prokurorë, 6 oficerë të Policisë Gjyqësore, dhe 14 punonjës të shërbimit civil, si drejtorë, shefa sektori dhe specialistë. Numri i prokurorëve dhe oficerëve që do të miratohet do të shërbejë për njësitë Task-Forcë të ngritura në rrethe, ndërsa numri 14 i punonjësve civilë, do të shërbejë për ti ardhur në ndihmë 22 prokurorëve në zyrën qendrore të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkohë që rëndësi i është kushtuar edhe investimeve buxhetore.

Produktet kryesore që priten të miratohen në 2010-n

1. Përmirësimi i sistemit të pagave për prokurorët dhe oficerët

2. Mbështetja e infrastrukturës së Prokurorisë së Përgjithshme

3. Mirëmbajtja e sistemit special me kosto totale 34.450 mijë lekë të rinj

4. Blerje pajisje për sektorin e përgjimeve me kosto 30.000 mijë lekë të rinj

5. Rikonstruksioni i rrjetit informatikë në Prokurorinë e Tiranës.

6. Ndërtimi i ri i dy godinave në qytetin e Korçës dhe Elbasanit

7. Rikonstruksioni i godinave, Berat, Kavajë, Vlorë, Mat, Tropojë

8. Sistem ngrohje+gjenerator për prokurorinë Dibër

9. Zhdoganim automjetesh me kosto totale 2.000 mijë lekë të rinj

10. Blerje pajisje kompjuterike dhe pajisje të ndryshme zyre

11. Blerje kamera për Prokurorinë e Tiranës

12. Shpenzime për projektin e Prokurorisë Shkodër

13. Shpenzime për projektin e rikonstruksionit të Prokurorisë së Përgjithshme

14. Likuidimi i projektit të Prokurorisë Korçë

15. 12 inspektime të plota dhe të pjesshme nga Drejtoria e Inspektimit

16. Trajtimi me përparësi për strehim të 25 prokurorëve

17. Trajnimi i 90 prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›