E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minxhozi: Qeveria indiferente me banorët

14/09/2009  Tërmeti në Dibër

Partia Socialiste reagoi dje lidhur me qëndrimin që po mban qeveria Berisha ndaj zonave të goditura nga tërmeti. Për deputetin e PS-së, Qemal Minxhozi, banorët e këtyre zonave më shumë se paniku natyror, ata ndjenë mungesën e shtetit. “Kanë kaluar 7 ditë dhe ende qeveria po tregohet e paaftë për të administruar këtë fatkeqësi natyrore. Një vizitë e shpejtë e Kryeministrit Berisha, dy helikopter me makarona, oriz dhe fasule, kaq ishte emergjenca e shtetit karshi këtyre banorëve. Si është e mundur, që në këtë situatë alarmante, qeveria po qëndron kaq indiferente? Thuhet se në terren janë dërguar 400 çadra”, vuri në dukje Minxhozi. Por sipas tij, kjo nuk është e vërtetë “Maksimumi janë dërguar vetëm 10% e tyre, ndërkohë që 150 familje, përfshi këtu fëmijë, gra dhe pleq, po kalojnë natën në qiell të hapur. Edhe ato çadra, duhet thënë se janë çadra verore që nuk i mbrojnë të strehuarit nga shiu. Përpara 2 kg fasule, makarona apo oriz, njerëzit në këto zona po kërkojnë bazë materiale për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Nëse kjo fatkeqësi do të kishte ndodhur një javë para zgjedhjeve, jam i bindur se i gjithë shteti do të ishte prezent aty dhe do të plotësoheshin kërkesat e banorëve”, vlerësoi deputeti socialist. Madje po në këtë linjë, Minxhozi nënvizoi se “këtu kemi të bëjmë me një indiferencë që nuk po vret vetëm këto njerëz, por po vret edhe shpresat e tyre për të ardhmen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›