Intriga Ronaldinjo te Gremio apo te Paris SG
Largimi i Ronaldinjos nga Milani duket thuajse i sigurt. Të shumta janë skuadrat që janë hedhur në kërkim të fantazistit brazilian të kuqezinjve, duke filluar nga klubet braziliane Palermeiras, Korinthias Gremio e deri të Mançester Junajtid dhe Siti. Por dje ka dalë në pah edhe një mundësi tjetër. Lajmi befasues vjen nga Franca: Ronaldinjo mund të rikthehet te Paris Saint-Germain, klubi transalpin ku zbarkoi në 2001, duke ardhur nga Gremio. Që Ronaldinjo e adhuron Parisin dhe Parisi e adhuron Ronaldinjon, nuk është një gjë e re. PSG synon ta marrë lojtarin për të zëvendësuar Sesenjon, që mund të transferohet në Angli. Ndërsa vetë Ronaldinjo e gdhin sërish deri në mëngjes në festat dhe koncertet e Planet Music Hall (lokal i Porto Alegres, të cilin e menaxhon familja e tij) së bashku me mikun Vagner Love, ish-bomberin e Flamengos, të rikthyer tani te CSKA. Presidenti i Gremios, Paulo Odone, thekson që numri 80 i Milanit do të kthehet te klubi që e rriti dhe e bëri të njohur, “dhe kjo do të jetë një dhuratë për këto festa për tifozët tanë”. I intervistuar nga TV Bandeirantes në Porto Alegre, Odone nënvizon se “e kemi gjetur marrëveshjen, ramë dakord për gjithçka, dhe mund të thuhet se, në një farë mënyrë, po formojmë një partnership me Ronaldinjon. Kur ai fiton, fiton edhe Gremio dhe anasjelltas. Kemi sponsorë shumë të interesuar, njëri do të prodhojë një linjë prodhimesh të Ronaldinjos”.