KQZ, ende pa vendim për Gjilanin

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ndau të premten afër gjysmë milioni euro për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Prizrenit dhe Lipjanit.
Gjatë mbledhjes së rregullt, anëtarët e KQZ’së nuk e çelën fare gojën për çështjen e Gjilanit, e cila ndodhet në udhëkryq dhe nuk dihet nëse për të do vendosë Gjykata Supreme, KZAP’ja apo KQZ’ja.
Gjatë mbledhjes së KQZ’së të mbajtur të premten, përfaqësuesit e Sekretariatit të këtij organi zgjedhor paraqitën planin e buxhetit për zgjedhjet e 31 janarit në Prizren dhe Lipjan dhe propozuan emërimin e anëtarëve të Këshillave në Vendvotime (KVV) për këto dy komuna, ku ka pasur parregullsi në garën e balotazhit më 13 dhjetor.
Xhemajl Peqani, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ’së, njoftoi në këtë mbledhje se të gjithë anëtarët e KVV’ve janë të rinj.
“Ata që kanë qenë në procesin zgjedhor të 15 nëntorit dhe 13 dhjetorit nuk janë më në lista dhe për këtë ne i kemi bërë të gjitha verifikimet. Të gjithë janë të rinj”, tha Peqani.
Ndërsa, Miradije Bejta nga Sekretariati i KQZ’së, prezantoi planin buxhetor për komunën e Prizrenit dhe Lipjanit.
“Ne kemi shkuar në hartimin e buxhetit për ato kërkesa buxhetore, për ato produkte të cilat duhet të prodhohen. Në total, buxheti për rivotim për këto dy komuna është një shumë prej 424 mijë 677 eurosh. Ky buxhet është certifikuar dhe zyrtarizuar, të cilin e keni para vetes. Është i dhënë secili veç e veç dhe është i përfshirë edhe për shpenzimet operative nga Sekretariati për ekonomi dhe financa. Buxheti i planifikuar ka të bëjë me buxhetin e kategorisë Mallra dhe shërbimeve dhe të shpenzimeve komunale”, tha Bejta.
Pas mbledhjes së KQZ’së, kryetarja Nesrin Lushta u pyet nga gazetarët vetëm për rastin e Gjilanit, për të cilin ajo tha se pak mund të flasë. Lushta tha se ende është duke i vazhduar konsultat për të marrë një vendim për Komunën e Gjilanit.
“Sa i përket çështjes së Gjilanit, ne domethënë po mbajmë konsultime në mes veti, po e shikojmë ligjin në mënyrë që sa më shpejt që është e mundshme të marrim një vendim, gjithësisht të merret vendimi nga ai organ, i cili është kompetent. Ju e dini se vendimet, jo konkretisht për çështjen e Gjilanit, por në përgjithësi, i merr gjykata, KQZ’ja, merr KZAP’ja, mirëpo jemi duke u konsultuar mes veti për këtë”, tha ajo.
Lushta nuk ka mundur të konfirmojë nëse çështja e Gjilanit do të ketë mundësi të zgjidhet gjatë javës së ardhshme në KQZ apo me të do të duhet të merret Gjykata Supreme.
Ndryshe, javën që shkoi ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave të rregullta dhe atyre me kusht për Komunën e Gjilanit, sipas të cilave Qemajl Mustafa i PDK’së ka shënuar fitore përballë kundërkandidatit nga radhët e LDK-së, Fatmir Rexhepi, me rreth 1000 vota.