E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josipovic konfirmon ftesën për Sejdiun

Presidenti i ardhshëm i Kroacisë, Ivo Josipovic, ka konfirmuar se Zagrebi u ka dërguar ftesë për ceremoninë inaugurues të tij të gjithë përfaqësuesve të vendeve me të cilat Kroacia ka marrëdhënie diplomatike, edhe Kosovës, pavarësisht kushtëzimeve të presidentit serb, Boris Tadic.

“Ftesat për pjesëmarrje në inaugurim u janë dërguar të gjitha vendeve, me të cilat Kroacia ka marrëdhënie diplomatike”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, presidenti i ardhshëm kroat, Ivo Josipovic.

I pyetur të komentojë deklarimin e presidentit serb, Boris Tadiq, se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij nëse në Zagreb do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Josipovic ka thënë se “nga pozicioni i vet, Zagrebi nuk bën dallime, ndonëse do të ketë mirëkuptim për nevojat specifike që Serbia ka lidhur me raportet me Kosovën”.

“Mendoj se ky fakt nuk duhet t’i përcaktojë marrëdhëniet tona të ardhshme”, ka thënë ai.

Autoritetet kroate kanë ftuar për inaugurimin e presidentit të Kroacisë, Ivo Josipoviq, që mbahet muajin e ardhshëm, përfaqësuesit e të gjitha shteteve, me të cilat Zagrebi ka marrëdhënie diplomatike dhe rrjedhimisht edhe përfaqësuesit e Kosovës, ka mësuar REL në qarqet zyrtare të Zagrebit.

Por zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, ka thënë se një ftesë e tillë ende nuk ka arritur në Kosovë. “Te ne ende nuk ka arritur ftesa zyrtare, të paktën jo deri në orën 16.00. Të gjitha mediat po e citojnë presidentin e sapozgjedhur kroat të ketë thënë se u ka bërë ftesë të gjitha vendeve me të cilat ka marrëdhënie diplomatike, por te ne ende nuk ka arritur ftesa dhe nuk mund të them asgjë. Kur të arrijë ftesa ne do t’i njoftojmë mediat menjëherë”, ka thënë Beqiri, transmeton KosovaPress.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›