Wolfarth: Regjistrimi i popullsisë, i rëndësishëm, nxis pjesëmarrjen
I pranishëm në qytetin e Përmeti, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, i ka bërë dje thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë. Ambasadori Wolfarth ka pohuar se regjistrimi i popullsisë është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. “Bashkohem me ata që ftojnë njerëzit të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, sepse kjo do të ndihmojë në planifikimin për zhvillimin e vendit dhe për të ardhmen”, - ka pohuar ai për gazetarët. “Unë, ka vijuar Wolfarth, e shikoj regjistrimin e popullsisë si një mundësi për zhvillimin e vendit në të gjitha nivelet, duke filluar që nga niveli lokal me bashkitë”. I pyetur nga gazetarët në lidhje me opinionin e tij, karshi diskutimeve të ndryshme që kundërshtojnë regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, duke përfshirë edhe lëvizjen e “Aleanca Kuq e Zi”, ambasadori i OSBE-së ka pohuar se, “jam në dijeni të diskutimeve të ndryshme që po bëhen për regjistrimin e popullsisë, por kur vjen puna për planifikimin, mendoj që është i rëndësishëm dhe e theksoj edhe njëherë pjesëmarrjen e njerëzve në regjistrimin e popullsisë”. Gjatë vizitës së tij në Përmet, ambasadori Wolfarth ka pasur një takim me kryetarin e Bashkisë, Gilbert Jaçe, si dhe ka marrë pjesë në inagurimin e një zyre të rrjetit të shoqatave të shoqërisë civile, ku OSBE kontribuon me investime në aparatura e infrastrukturë teknike. “Ne si OSBE kemi një bashkëpunim me Përmetin dhe një nga takimet që bëra ishte me kryetarin e bashkisë, për t’i uruar gjithashtu edhe për zgjedhjen e tij si kryetar”, - ka pohuar Ambasadori i OSBE-së pas këtyre takimeve. “Është e rëndësishme për OSBE-në, - ka vijuar ai - që të shohë zhvillimin në vend edhe në qytete të tilla si Përmeti sepse është e rëndësishme që të shikojmë shërbimet që i ofrohen qytetarëve gjithashtu edhe zhvillimin mjedisor në vend. Ne patëm një bisedë shumë konstruktive bashkë me kryebashkiakun Jaçe. Folëm për disa nga projektet për zhvillimin e qytetit të Përmetit, dhe të zonës. Është shumë e rëndësishme që të shikojmë plane për zhvillimin e turizmit, për zhvillimin e bujqësisë, të agroindustrisë. Dhe është shumë e rëndësishme që të shikojmë që të ketë bashkëpunim në nivel lokal, duke filluar që nga kryetari i bashkisë dhe në Këshillin e Bashkisë. Por gjithashtu një kontribut i mirë do të vijë nga shoqëria civile, nga vetë qytetarët në idetë që ata mund të japin për një bashkëpunim sa më të mirë në zhvillimin e zonës. Dhe unë pata përshtypjen që Përmeti është gati për një fillim të mirë zhvillimi pas zgjedhjeve lokale”, - ka pohuar ambasadori i OSBE-së.