KQZ-ja: Në zgjedhjet e 28 qershorit votuan 46% e shqiptarëve
Zgjedhjet e 28 qershorit kanë merituar nota maksimale jo vetëm për nga mënyra se si u zhvilluan, por edhe përsa i përket pjesëmarrjes. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në procesin zgjedhor morën pjesë 46% e zgjedhësve të regjistruar, një përqindje kjo mjaft e lartë në krahasim me dy proceset e fundit zgjedhore. Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat paraprake që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në votime në secilin qark. Sipas KQZ-së, në qarkun e Kukësit dhe në qarkun e Gjirokastrës është shënuar edhe pjesëmarrja më e lartë në votime, në secilin qark nga 53%. Ndërkohë, në qarkun e Beratit pjesëmarrja në votime ka qenë 46%, në qarkun e Dibrës kanë votuar 43% e zgjedhësve të regjistruar, në qarkun e Fierit kanë votuar 48% e zgjedhësve. Në qarkun e Tiranës, ku është dhe numri më i madh i zgjedhësve të regjistruar, kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor të djeshëm 50% e zgjedhësve, duke siguruar një pjesëmarrje mjaft të lartë në qarkun më kryesor, ku konkurrohet për 32 deputetë. Në qarkun e Shkodrës pjesëmarrja ka qenë 42%, në qarkun e Vlorës pjesëmarrja në votime ka qenë 36%, ndërsa në qarkun e Lezhës, sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, pjesëmarrja ka qenë 48%. Ndërkohë, për tri qarqet, si Elbasani, Korça dhe Durrësi, KQZ-ja nuk e shpalli rezultatin paraprak deri në orën 23:00 të mbrëmjes. Ndërkaq, koalicioni i vëzhguesve vendorë ka shpallur disa rezultate paraprake, jozyrtare, përsa i përket pjesëmarrjes në votime. Sipas këtyre vëzhguesve, pjesëmarrja totale e shqiptarëve në votimin e djeshëm ka qenë 50%. Ndërkaq, pjesëmarrja sipas qarqeve vijon si më tej: Berat 47%, Dibër 62%, Durrës 47%, Elbasan 51%, Fier 53%, Gjirokastër 49%, Korçë 50%, Korçë 50%, Kukës 38%, Lezhë 50%, Shkodër 50%, Tiranë 52% dhe Vlorë 45%.
29 Qershor 2009