E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Rama, Meta: Zgjedhjet plotësuan standardet ndërkombëtare

Tri partitë kryesore vlerësojnë ecurinë e procesit zgjedhor. Berisha e Rama flasin në të njëjtën gjuhë: Fiton Shqipëria

Eljona Ballhysa, Shaban Sulçe

Liderët e tri partive kryesore në vend kanë vlerësuar dje ecurinë e procesit zgjedhor në përmbushje me standardet ndërkombëtare. Në konferenca të njëpasnjëshme për shtyp, Berisha, Rama dhe Meta dhanë mesazhin e fitores së objektivit kryesor, atë të realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Duke pranuar se procesi pati disa parregullsi, krerët e partive kanë theksuar se ishin të pakonsiderueshme dhe se në përgjithësi procesi ishte i rregullt. Nga ana tjetër, Rama dhe Meta i bënë thirrje Policisë së Shtetit të tregohet korrekte në procesin e transportimit të kutive të votimit.
Që të tre kryetarët e partive u shprehën se nuk u besojnë sondazhe zgjedhore dhe se do të presin të qetë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të shpallur nga KQZ-ja. Ata u bënë thirrje qytetarëve shqiptarë që të presin të qetë rezultatin e votimit, pasi në këto zgjedhje nuk ka humbës, por fitues, dhe pikësëpari fiton Shqipëria. Këtë shprehje, të përdorur fillimisht nga kreu i PD-së, Berisha, e përdori pak çaste më vonë edhe kreu i PS-së, Edi Rama. Ndërsa Meta u tregua pak më i ashpër, duke theksuar se LSI-ja do të qëndrojë deri në fund në mbrojtje të votës dhe se do të shkojë para selisë së PD-së në rast parregullsish.
Berisha
Kryeministri Berisha u shpreh dje se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë dinjitoze. Ai përshëndeti përfaqësuesit e forcave politike dhe komisionerët që menaxhuan këtë proces. “Përshëndes përfaqësuesit e të gjitha forcave politike, të cilët menaxhuan sot një proces zgjedhor dinjitoz, e menaxhuan në frymën e një bashkëpunimi luajal të bazuar në legjislacionin e miratuar nga Parlamenti”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se faza e transportit të kutive të votimit dhe ajo e numërimit është e rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa theksoi se beson në rolin që do të luajë Policia e Shtetit. “Faza më e rëndësishme dhe më delikate është faza që vjen tani. Kam besim të madh te Policia e Shtetit. Besimi më i madh është gjithashtu edhe te numërimi, i cili do të jetë elektronik dhe mund të ndiqet”, - është shprehur Berisha, i cili u bëri thirrje qytetarëve të jenë të qetë në pritje të rezultatit zyrtar dhe të mos u besojnë sondazheve. “Në këto zgjedhje nuk ka të humbur, por ka vetëm të fituar. Pasi Shqipëria europiane është Shqipëria e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Do t’i ftoja të gjithë qytetarët që të ndjekin rezultatin me maturi, me qytetari, pa krijuar idera të fituesve dhe humbësve, sepse në fakt nuk është kështu”, - ka deklaruar kreu i PD-së. Berisha bëri të ditur se do ta presë deri në orët e para të mëngjesit rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në zyrën e tij, në selinë e PD-së. “Unë do ta pres me qetësi rezultatin e zgjedhjeve, deri nga ora 2-3 e natës rri pa problem, pastaj të shoh”, - është shprehur Berisha. I pyetur nëse do ta uronte Ramën në rast fitoreje, Berisha deklaroi se në rast se PD-ja do të humbë, do të telefonojë Ramën për ta uruar. “Do t’i telefonoj se do të më takojë mua. E kam vendosur këtë”, - është shprehur Berisha, i cili vlerësoi se opozita këtë herë nuk ka qenë acaruese.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, në daljen e tij të parë mediatike fill pas konferencës për shtyp të Berishës deklaroi se në këto zgjedhje u garantua ecuria normale e procesit zgjedhor. “Dua të theksoj se pavarësisht një sërë parregullsish dhe detajesh të papëlqyeshme të vëna re në pjesë të ndryshme të territorit të Shqipërisë, në tërësi u realizua objektivi i garantimit të procesit, i garantimit të qetësisë dhe të normalitetit demokratik për qytetarët dhe qytetaret që vërshuan në masë drejt kutisë së fshehtë”, - është shprehur Rama. Duke iu referuar fazës së dytë të procesit zgjedhor që ka të bëjë me transportimin e kutive të votimit dhe numërimin e votave, Rama tha se integriteti i plotë i procesit tashmë është në dorën e Policisë së Shtetit. “Pjesa e dytë, që fillon edhe me rënien e errësirës, është pjesa e transportit të të gjitha kutive të votimit për në qendrat e numërimit dhe është pjesa kur kërkohet një përqendrim maksimal i të gjithë aktorëve të përfshirë në proces dhe kërkohet një angazhim maksimal i Policisë së Shtetit për të qenë policia e shtetit dhe për ta garantuar transportin e të gjitha kutive të votimit, duke e ruajtur integritetin e plotë të procesit”, - është shprehur Rama. Ai ka shtuar se askush nuk duhet të shpërqendrohet duke u influencuar nga rezultati i exit-polleve për shkak se njerëzit që kanë votuar për opozitën nuk e kanë deklaruar votën për shkak të presionit të ushtruar ndaj tyre. “Është momenti të kuptojnë se principi elementar i exit-pollit nuk mund të na japë asgjë të saktë sot në këtë vend, sepse në kushtet në të cilat këto zgjedhje janë zhvilluar dhe pas këtij elementi që ka pasur të bëjë drejtpërdrejt me trysninë e ushtruar në të gjithë territorin, njerëzit që kanë votuar për opozitën do të jenë detyrimisht më të pakët në shprehjen e votës së tyre përpara intervistuesve të sondazheve. Ne do të presim vetëm vendimin e popullit shqiptar në procesin e numërimit”, - është shprehur Rama. Ai shtoi se do të veprojë ashtu sikurse dhe PD-ja, do të presë me durim rezultatin përfundimtar pa brohoritur pa fund për fitoren. “Në rast se pala tjetër, sikundër la të kuptojë kryeministri i vendit, do të ruajë qetësinë, nuk do të thërrasë ‘fitore’, siç ka bërë në 2007-n, siç ka bërë në 2003-shin, siç ka bërë në 2000-shin, të paktën në të gjitha ato zgjedhje ku unë kam qenë në fushën e lojës dhe i kam fituar të gjitha, duke pasur të bëj në të gjitha herët në prelude fitoreje të krahut tjetër. Atëherë, pa më të voglin dyshim edhe ne do të respektojmë këtë qetësi, duke kontribuuar kështu në një proces, i cili duhet të shkojë deri në fund për të mirën e Shqipërisë, për të mirën e shqiptarëve”, - ka deklaruar kreu i PS-së. I pyetur nëse vazhdon të shpresojë në fitoren e PS-së, Rama deklaroi se ai tashmë është i bindur në fitore. “Unë nuk kam më tashmë shpresë, unë kam bindje. Por unë e përsëris që nuk jam këtu për të deklaruar fitoren, respektoj në njëfarë mënyrë edhe mënyrën se si iu qas këtij momenti kryeministri”, - është shprehur Rama.
Meta
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi maksimalisht zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por ai paralajmëroi se e gjitha çka u ndërtua rrezikonte të prishej pas publikimit të sondazheve “exit poll”.
Meta jo vetëm që i ka cilësuar të porositura rezultatet e exit polleve të disa kompanive, por i ka quajtur ato instrumente që i shërbejnë kryeministrit Berisha për të manipuluar procesin zgjedhor gjatë numërimit të votave. Sipas kreut të LSI-së, Ilir Meta, këto sondazhe janë porositur nga kryeministri Berisha me qëllim që të errësojë procesin, të çorientojë komisionerët dhe të grabisë votat e shqiptarëve. Meta e paralajmëroi kryeministrin Berisha se në rast se preket një votë e vetme, Berisha do të përballej me të personalisht dhe me të gjithë simpatizantët dhe mbështetësit e LSI-së. “I bëj thirrje kryeministrit Sali Berisha që të mos guxojë të prekë qoftë edhe një votë të vetme. Këto exit-polle janë të porositura nga Berisha dhe synojnë të errësojnë procesin, në mënyrë që ai të manipulojë rezultatet gjatë procesit të numërimit të votave. I themi Sali Berishës që të mos prekë një votë të vetme, ndryshe do të përballet me mua, dhe me gjithë simpatizantët dhe anëtarët e LSI-së. Nuk mund ta lëmë më Sali Berishën në pushtet duke grabitur vota”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta, menjëherë pas publikimit të exit-pollit të kompanisë “Gani Bobi”.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›