E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja, Rama: Berisha të ikë me nder nga pushteti

Rama_rilindje11Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur falënderimin e tij për deklaratat e bërë nga Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për sa i përket kërkesës së Partisë Demokratike për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Duke iu referuar qëndrimeve të ndërkombëtarëve për këtë çështje, Rama tha se asnjëherë deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë nuk kanë qenë kaq të drejtpërdrejta për qeverinë.
Deklarata
Asnjëherë në këta 8 vjet shkeljesh të përsëritura kushtetuese e ligjore nga ana e Kryeministrit, deklaratat e partnerëve të mëdhenj të Shqipërisë nuk kanë qenë më të drejtpërdrejta. Sepse asnjëherë më parë, shkelja e Kushtetutës dhe ligjit nuk ka qenë më e hapur se sa përmes kësaj nisme brutale, për të zëvendësuar forcërisht një anëtar të KQZ. Kryeministri në ikje po e përjeton keq verën e një vetmie të madhe ku do të mbetet pa asnjë aleat serioz, fillikat si në vitin 97, përballë furisë popullore që do ti japë fund sundimit të tij me votën për një Rilindje Shqiptare në 23 qershor, tha Rama. Sipas Ramës, ky veprim i maxhorancës hedh në erë KQZ-në dhe të drejtën sovrane të zgjedhjes së lirë. Ende më shumë, kuturisja e Kryeministrit për ta kthyer shumicën e tij prej kartoni në një kamikaz që të hedhë në erë KQZ-në, hedh në erë edhe njëherë të drejtën themelore e të papërmbushur në gjithë këto vite të shqiptarëve, për të ushtruar pa asnjë pengesë të drejtën sovrane të zgjedhjes së lirë të qeverisë së tyre, deklaroi Rama. Në vijim, kreu i opozitës i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të heq dorë nga kërkesa e tij. Në asnjë rast nuk do hymë në ndryshime të KQZ, në cënim të kodit zgjedhor, ndaj i bëjmë thirrje Berishës që të ikë me nder nga pushteti, dhe kontributi për rotacion paqësor dhe të pashmangshëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, theksoi Rama. Kryesocialisti theksoi se anëtarët e KQZ, kur marrin mandatin zhvishen nga funksioni politik që kanë teksa shtoi se LSI nuk ka asnjë funksion mbi anëtarin e saj në KQZ që PD tenton ta largojë. Anëtarët e KQZ-së, në momentin kur marrin mandatin nuk kanë më varësi nga Parlamenti apo partitë që i propozojnë. Anëtari është shërbëtor i Kushtetutës, Ligjit dhe zgjedhësve dhe jo i partisë që e ka propozuar”, deklaroi, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

PBDNJ falënderon përfaqësuesit e huaj
për këshillat në mos cenimin e KQZ-së

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, nëpërmjet një deklarate për mediat ka falenderuar përfaqësitë ndërkombëtare për këshillat e dhëna, duke mbështetur qëndrimet e tyre se autoriteti i KQZ-së nuk duhet të cenohet.  Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, falënderon përfaqësuesit e Bashkimit Evropiane, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE -së, në vendin tonë, për vëmendjen e kushtuar dhe këshillat e dhëna, për mos cenimin e autoritetit të KQZ-së dhe humbjen e besimit të votuesve në zgjedhjet e 23 Qershorit. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i konsideron ato kontribut të çmuar për respektimin e shtetit ligjor, për funksionimin e një demokracie të shëndetshme dhe domosdoshmëri për zhvillimin e zgjedhjeve të pakontestueshme të 23 Qershorit, thuhet në deklaratën e PBDNJ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›