Lëvizja Çame kthehet në parti, regjistrohet me emrin Aleanca Popullore
Tiranë- Nga një organizatë për mbrojtjen e të drejtëve të shqiptarët e Çamërisë, Lëvizja Çame tashmë është kthyer në një parti politike, duke u regjistruar në KQZ me emrin Aleanca Popullore.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp kjo forcë e re politike njoftoi se kryetari i saj do të jetë Artur Dojaka, ndërsa pjesë e saj janë edhe një sërë organizatash dhe grupesh interesi.
Aleanca Popullore është tashmë një parti politike e rregjistruar në KQZ që në thelbin e vet ka mbrojtjen dhe promovimin e çështjes kombëtare dhe në veçanti Çështjen Çame. Të zhgënjyër nga vorbullat politike që nuk japin rezultate konkrete, duke mos dashur të humbim më kohë të vlefshme politike, ne marrim sot përsipër fatet tona. Të ndërgjegjshëm për kohën ku jetojmë, të vetëdijshëm për instrumentat kombëtar e ndërkombëtar në dispozicion, vijmë sot jo si demagogët e rradhës, por si një forcë e aksionit politik dhe forcë e arritjeve politike,- u shpreh kreu i saj.
Po sot është bërë thirrje për të miratuar në Kuvend Rezolutën Çame të propozuar nga PDIU-ja, ndërsa janë dënuar ashpër përplasjet në Komisionin e Jashtëm.
Në një kohë që na ndalojnë në kufi për shkak të vendlindjes, kur nuk gëzojmë dot të drejtën universale të pronës apo kur nuk vendosim një tufë lule në varrin e të parëve tanë kemi gjithë të drejtën legjitime për të ngritur zërin dhe për të kërkuar të drejtën tonë. Flasim për Çamërinë por nuk mund ta prekim atë. Folën shumë për Çamërinë, por vetëm sa e përdorën atë,- deklaroi më tej Dojaka.
Në vijim ai u shpreh se Aleanca Popullore do të ndërtoj marrëveshje me këdo që në thelbin e përpjekjeve të veta ka Shqipërinë, ndërsa ka shpallur si kandidat për deputet të Tiranës Arjan Hamitin.