KQZ-ja shpall rezultatin e zgjedhjeve në Ballagat, fiton PD-ja
Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në komunën e Ballagatit në rrethin e Fierit, ku fitues rezulton kandidati i Partisë Demokratike, Shërbet Sharka. Ditën e diel u zhvilluan në këtë komunë zgjedhjet për postin e kryetarit të komunës, pas shkarkimit të kryetarit të mëparshëm për shkak të abuzimeve me detyrën. Në 8 qendrat e votimit procesi zgjedhor ka ecur normalisht, i qetë dhe pa incidente, ndërsa kanë votuar 1478 nga rreth 2500 banorë.
Pas numërimit të votave kandidati i PD-së rezultoi fitues me 1063 vota, ndërsa kandidati i PS-së arriti të merrte vetëm 335 vota. Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar në faqen zyrtare në internet tabelën me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të pjesshme lokale në KZAZ-në Nr. 22.
4 Gusht 2009