E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja kërcënon me burg deputetin Taulant Balla



Partia Demokratike ka reaguar mjaft ashpër ndaj deklaratës së deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Selia blu ka akuzuar deputetin Balla se ka lidhje me persona të inkriminuar, madje e ka kërcënuar Ballën me “burg”. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, e akuzoi deputetin Balla se është ortak në biznesin e trafikimit të lëndëve narkotike. Mëhilli akuzoi gjithashtu edhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se ka fshehur pasurinë e tij. “Sot Edi Rama, humbësi i madh, kryetari pa mandate i PS-së, duke lënë mënjanë pasuritë që ka nëpër Europë apo ndërtimin e fshatrave turistike në Spanjë, ndërtimin e qytezës së përbashkët me Delijorgjin apo 70% të lejeve të ndërtimit në Tiranë që ndan me Eftimët e tij, nxori për të komentuar pasuritë e kryeministrit e familjarëve të tij, trafikantin e qenieve njerëzore apo ortakun e narkotrafikantit Fatos Gjura, Taulant Ballën. Ndërsa zëdhënësit të tij, ortakut të narkotrafikantit Fatos Gjura, i themi se janë të pakët ata që nxjerrin të ardhurat dhe sigurojnë jetesën me para të nxjerra nga droga apo si trafikant qeniesh njerëzore dhe se ty të pret i njëjti fat si Fatosi”, - tha zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›