E Diel, 1 Nëntor 2026

Renditja për 2008-n, Pollo, më i pasuri i qeverisë, kryeministri Berisha, më i varfri

Lista kryesohet nga zëvendëskryeministri Pollo dhe ministrat Ridvan Bode dhe Genc Ruli. Kryeministri Berisha renditet në vend të fundit, para tij, Xhuveli dhe Gjana

Shaban Sulçe

Zëvendëskryeministri Genc Pollo rezulton të jetë njeriu më i pasur i qeverisë për vitin 2008, ndërkohë që për paradoks, shefi i tij, kryeministri Sali Berisha, renditet në vend të fundit. Ky është rezultati i renditjes për 2008-n, bazuar mbi deklaratat e pasurisë që anëtarët e kabinetit qeveritar kanë depozituar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Sipas kësaj renditjeje, pasuria e kryeministrit Berisha rezulton të jetë shumë më e vogël në krahasim me pasurinë e deklaruar nga ana e ministrave të tij. Madje, pasuria e shefit të qeverisë për vitin e kaluar është katër herë më e vogël se ajo e zëvendëskryeministrit Genc Pollo, i cili kryeson listën e më të pasurve të qeverisë. Për hartimin e kësaj renditjeje është mbledhur shuma totale e parave që ministrat kanë deklaruar për pagat e tyre dhe bashkëshortët, për blerjet e pronave të patundshme që ata kanë kryer si dhe pagesat që ata kanë bërë për shlyerjen e kredive që kanë marrë. Për ta bërë më të thjeshtë renditjen përllogaritja e të ardhurave të tyre është bërë në euro.

Top-lista
Zëvendëskryeministri Genc Pollo kryeson listën e ministrave më të pasur për vitin 2008. Të ardhurat financiare të tij dhe të bashkëshortes arrijnë shifrën totale të 94 158 eurove, duke e bërë atë njeriun më të pasur të kabinetit qeveritar për vitin e kaluar. Në vendin e dytë të kësaj renditjeje gjendet ministri i Financave, Ridvan Bode, pasuria e të cilit për vitin 2008 arriti në shifrën e 91 335 eurove, ndërsa në vendin e tretë është ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, me një pasuri që rezulton 84 535 euro. Më pas lista vijon me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha (81 972 euro), ministren e Shëndetësisë, Anila Godo (73 000 euro) dhe ministrin e Arsimit, Fatos Beja (62 103 euro).

Më të varfrit
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, rezulton i gjashti në listën e më të pasurve të qeverisë. Për vitin 2008 pasuria e tij ka arritur shifrën e 49 720 eurove. Pas tij renditet ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, me 48 893 euro, ministri i Drejtësisë me 44 414 euro dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, me 43 291 euro. Në tri vendet e fundit renditen ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, dhe kryeministri Sali Berisha, me një pasuri shumë herë më të vogël në krahasim me ministrat e qeverisë së tij. Nëse kjo renditje do të bëhej vetëm mbi bazën e shtesave në llogaritë bankare, kryeministri Berisha do të rezultonte më i varfër edhe se shumica e punonjësve të administratës shqiptare. Por janë të ardhurat financiare, pra paga dhe shpërblimet si kryeministër, që bëjnë që Berisha të ketë pasur gjatë vitit 2008 të ardhura që e kalojnë shumën e 20 mijë eurove.

Renditja e pasurisë së kabinetit qeveritar për vitin 2005

Emër Mbiemër Totali Pagat Blerje dhe Shtesat në
shlyerjet e kredive llog.bankare

Genc Pollo 94158 Euro 41000 Euro 32164 Euro 20994 Euro
Ridvan Bode 91335 Euro 24038 Euro 20542 Euro 46755 Euro

Genc Ruli 84535 Euro 25927 Euro 42489 Euro 16119 Euro

Lulzim Basha 81972 Euro 41972 Euro 40000 Euro

Anila Godo 73000 Euro 10000 Euro 60000 Euro

Fatos Beja 62103 Euro 31943 Euro 2660 Euro 21560 Euro

Bujar Nishani 49720 Euro 21258 Euro 27000 Euro 18188 Euro

Majlinda Bregu 48493 Euro 25153 Euro 23340 Euro

Enkelejd Alibeaj 44414 Euro 24602 Euro 2000 Euro 17812 Euro

Sokol Olldashi 43291 Euro 32612 Euro 10679 Euro

Lufter Xhuveli 36931 Euro 14151 Euro 7518 Euro 15262 Euro

Jemin Gjana 32291 Euro 16865 Euro 6273 Euro 9783 Euro

Sali Berisha 25244 Euro 21042 Euro 4202 Euro

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›