KQZ-ja shpall zyrtarish fitues Lulzim Bashën

Edhe pas kundërshtimeve të përfaqësuesve të Partisë Socialiste Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka shpallur fitues kandidatin e “Aleancës për qytetarin”, Lulzim Basha.
Nga miratimi i tabelës përfundimtare për bashkinë e Tiranës, kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Lulzim Basha shpallet fitues me një diferencë prej 81 vota, kundrejt kandidatit të “Aleancës për të ardhmen”, Edi Rama.
Sipas tabeles e cila u miratua me 4 vota pro dhe 3 kundër, kandidati Basha ka marrë 124786 vota, Rama ka marrë 124705, ndërsa kandidati i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Hysni Milloshi 1394 vota.
Më herët KQZ, miratoi tabelën përmbledhëse për KZAZ-në 49, duke i hapur rrugë kështu certifikimit të rezultatit për bashkinë e Tiranës. Sipas KQZ-së kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Lulzim Basha në këtë KZAZ ka marrë 14491 vota, kundrejt 19154 votave te marra nga kandidati socialist, Edi Rama 19154. Kandidati i Partisë Komunistë të Shqipërisë, Hysni Milloshi ka marrë 149 vota.