PS-ja do të vijojë të bojkotojë komisionet parlamentare

Partia Socialiste do të vijojë dhe sot të bojkotojë komisionet parlamentare, si një vendim politik që kundërshton vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara.
Një ditë më parë deputetët e PS-së bojkotuan dy komisionet parlamentare atë të ekonomisë dhe atë të veprimtarisë prodhuese. Burime brenda grupit bëjnë me dije se ka zëra brenda tij që flasin për një veprim më radikal, atë të dorëzimit të mandateve nga disa deputetë, por ende nuk ka një vendim politik për këtë çështje.
Ajo që dihet tashmë është se Partia Socialiste është gati të zhvillojë një betejë ligjore në kolegjin zgjedhor ku do të kërkojë rrëzimin e vendimit të KQZ-së që e shpall kandidatin e “aleancës për qytetarin” Lulzim Basha fitues me 81 vota më shumë se kandidati i “aleancës për të ardhmen” Edi Rama. Paralelisht me këtë Partia Socialiste do të vijojë protestat strategjia e të cilave ende nuk dihet.