E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ mblidhet sot me 4 anëtarë, shqyrtohen disa projektvendime

Pavarësisht situatës kritike që është krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pas dorëheqjes së 2 anëtarëve dhe mospjesëmarrjen të një anëtari tjetër ky institucion vijon sot normalisht punën duke u mbledhur për të shqyrtuar një sërë vendimesh.

Në një njoftim të tij, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve thekson se do të mblidhet në orën 13:00 ku do të shqyrtojë projekt-vendimet Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të 71 partive politike, si dhe për regjistrimet e Komitetit nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e Alket Trokës si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Fier, i zonjës Laureta Gjoni në Vlorë dhe Skënder Tufën si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore në Tiranë.

Ndërkohë, KQZ ka mbetur tanimë vetëm me 4 anëtarë pas dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga PS-ja dhe mospjesëmarrjen në mbledhje të anëtarit të PBDNJ-it Jani Jani.

Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në departamentin amerikan të Shtetit Jonathan Moore u shpreh dje në Tiranë se është i shqetësuar sa i përket situatës së krijuar në KQZ. Ndërsa tha se ka argumenta ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë.

Ndërkohë socialistët refuzojnë të paraqesin kandidaturat e tyre për vendet e mbetura bosh në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pas dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar prej tyre.

Socialistët këmbëngulin se tanimë çështja e KQZ-së nuk është çështje emri por një çështje parimi të shkelur që ka cënuar procesin zgjedhor.

Ne kërkojmë që të ketë një reflektim, për këtë ne kërkojmë që të ketë një kthim në ligjshmëri të Institucionit Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë ne kërkojmë që administrimi i zgjedhjeve të ndahet nga gjithë vala e panikut që e ka përfshirë kryeministrin, që ka përfshirë pushtetin familjar dhe partinë familjare të kryeministrit u shpreh dje kreu i PS-së Edi Rama.

Nuk është fort e qartë se si përkthehet në terma konkret kjo kërkesë e cila në thelb duket se lidhet me konsiderimin nul të vendimit të së hënës në Parlament.

Ndërkohë situata e krijuar vë në pikëpyetje funksionimin e Komisionit i cili formalisht mund të vazhdojë aktivitetin, por vetëm me katër anëtarë e ka të pamundur të marrë vendime të rëndësishme që lidhen me rezultatin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›