E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miratoi tabelat e rezultateve per keshillin bashkiak te Tiranes

Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi me 4 vota pro dhe 3 kundër në mbledhjen e pasdites të së enjtes, tabelat e rezultateve për këshillin bashkiak të Tiranës.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salianji ka shkëmbyer replika të ashpra me kryetarin Arben Ristani, pasi ka pretenduar për parregullsi.

“Materiali i paraqitur nuk pasqyron ndryshimin e tabelave.

Numri i fletëve të vlefshme dhe të pavlefshme s’përputhen me fletët në kuti, numri i votave të gjetura në kuti nuk korrespondon me numrin e votuesve”, ka deklaruar Salianji.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, ka deklaruar se numërimi i të gjitha votave nga KQZ është veprimi i duhur dhe një detyrim.

“Tabela e paraqitur për miratim është e rregullt, në të pasqyrohen ndryshimet”, ka pohuar Kosovrasti. KQZ i ka paraqitur palëve gjatë kësaj mbledhje tabelat e rezultateve për ndarjen e mandateve të këshillave të njësive bashkiake, zona zgjedhore Tiranë.

Miratimi i këtij vendimi i hap rrugë shpërndarjes së mandateve për këshillat bashkiakë të 11 njësive vendore të Tiranës, ku sipas variantit të hartuar nga administrata zgjedhore, rezulton se koalicioni i djathtë do të ketë shumicën në shtatë minibashki të kryeqytetit, ndërsa koalicioni i majtë në katër minibashki.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›