E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ miraton me 4 vota ngritjen e Bordit të Monitorimit të Medias

TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër vota pro projektvendimin "Për ngritjen e Bordit të Monitorimit të Medias për monitorimin e fushatës zgjedhore në radion dhe televizionin publik dhe ato private".

Pr/vendimi propozon përbërjen prej 7 anëtarësh të BMM-së, dhe konkretisht: Basir Çollaku, Andi Kananaj, Adrian Thano, Dardan Malaj, Rexhep Polisi, Klarita Bajraktari dhe Andon Andoni, të cilët operojnë në fushën e medias. Kryetarja e KQZ-së kërkoi që Bordi të miratohej me 6 anëtarë, duke kërkuar kohë për paraqitjen e një tjetër kandidature ne vend të zotit Basir Çollaku, i cili është emëruar në një tjetër detyrë.

“Çollaku është emëruar në një detyrë tjetër. Në ditët në vijim do të sjell një kandidaturë tjetër. Për etikë morale mendova që të bëj tërheqjen e tij. Do të kem të drejtën e paraqitjes së një anëtari tjetër në ditët në vijim. Kalojmë në votim me një anëtar më pak”- deklaroi Lleshi.

Kodi zgjedhor (neni 85, pika 1) parashikon ngritjen nga KQZ, të BMM-së, 40 ditë përpara fillimit të periudhës zgjedhore. Bordi ka për detyrë monitorimin e zbatimit të dispozitave të këtij kodi për fushatën zgjedhore në radion dhe televizionin publik dhe ato private. Në mbledhjen e parë konstituese do të bëhet zgjedhja e kryetarit të Bordit. Në dy proceset e fundit zgjedhore, atë të vitit 2009 dhe të 2011-s, kryetar i BMM-së ka qenë Basir Çollaku.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›