E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani apel politikës: Përmbyllni listat e kandidatëve

TIRANE- Avokati i Popullit, Igli Totozani apel politikës para mbylljes së listave të kandidatëve në zgjedhje për përfaqësimin e grave. Sipas tij, nuk është përmbushur kuota 30 përqind e pjesëmarrjes së grave në listat e kandidatëve për deputetë.

“Në vitin 2003 Këshilli i Europës hartoi një rekomandim, sipas të cilit asnjë nga gjinitë nuk mund të përfaqësohet në një instancë vendimmarrëse me më pak se 40%. Ky rekomandim bazohet në konceptin e pjesëmarrjes së ekuilibruar gjinore me theks të veçantë e të posaçëm në pjesëmarrjen e grave në Parlament dhe Qeverisje. 10 vjet pas këtij rekomandimi Shqipëria ka ende shumë për të bërë. Avokati i Popullit i drejtohet klasës politike në këtë moment të mbylljes së listave të kandidatëve për deputetët e Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të 23 qershorit: Jo vetëm nuk është rruga e duhur, por është zhgënjyese për të gjithë ata që presin ndryshime reale në këtë vend të konstatosh që, megjithëse ligji përcakton kuotën 30 përqind të pjesëmarrjes së grave në listat e kandidatëve për deputetë, partitë kanë zgjedhur të paguajnë penalitetet e shkeljes së tij”, thuhet në reagimin e tij.

Formula për përfaqësimin e grave në këto lista nuk ishte padyshim më e mirëpritura, shprehet më tej Totozani.
“Duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së ekuilibruar të grave në parlament, partitë do të jepnin një mesazh të qartë të vullnetit për ndryshime reale në skemën e vendimmarrjes politike të vendit. Ky është një element themelor i drejtave të njeriut; është një element i drejtësisë sociale në vend, por më shumë se kaq, është një çështje e demokracisë reale. Kjo e fundit nuk mund të ekzistojë në një vend ku gjysma e popullsisë nuk është e përfaqësuar politikisht”, tha ai.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›