KQZ miraton me 4 vota “pro” vendimin për regjistrimin e 67 partive politike nga 72 formacione që kishin dorëzuar dokumentet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, zhvilloi dje mbledhjen radhës me katër anëtarë, pas dorëheqjes nga ky institucion të dy anëtarëve të propozuar nga opozita, Denar Biba dhe Albana Shtylla, dhe pezullimit të aktivitetit të anëtarit të propozuar nga PBDNJ, Jani Jani.
Pavarësisht, situatës së krijuar, KQZ shqyrtoi dhe miratoi me 4 vota “pro” disa projekt vendime të rëndësishme.
KQZ shqyrtoi projektvendimin “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të 72 partive politike, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23. 06. 2013”, sipas listës së paraqitur në KQZ. Nga 72 parti politike që kanë paraqitur kërkesë për tu regjistruar si subjekte zgjedhore në zgjedhjet e 23 qershorit, KQZ miratoi kërkesën e 67 prej tyre. KQZ vendosi rrëzimin e kërkesës për 5 parti politike për shkak të dorëzimit në KQZ të dokumentacionit jo të saktë apo jashtë afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
KQZ miratoi projektvendimin “Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Alket Troka si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Fier. Gjithashtu u miratua projektvendimi “Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zonjës Laureta Gjoni si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Vlorë si dhe projektvendimi “Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Skënder Tufa si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë.