E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama kapitulloi pa nisur zyrtarisht fushata, firmosi koalicion të negociuar nga kontrabandistë”

20-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me studentë dhe mësues të shkollave 9-vjeçare, në Gjirokastër: “Rritje të cilësisë së arsimit dhe punësim për të rinjtë e diplomuar”

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, rritje të cilësisë së arsimit dhe punësim për të rinjtë që diplomohen në universitetet shqiptare. “Do të bëjmë gjithçka për sistemin e edukimit, sistemin e shkollimit, i cili është për çdo shoqëri të qytetëruar, për çdo vend që do të arrijë nivelet e zhvilluara, problemi më serioz dhe më përcaktuesi për të ardhmen e tij. Përmbushja e cilësisë nuk është një proces i lehtë. Unë i qëndroj asaj që çdo i ri duhet të provojë të bëjë të vërtetë ëndrrën universitare. Çdo i ri në konceptin tonë duhet të marrë dije, edukim qytetar, formim qytetar, por edhe përshtatje maksimale me tregun”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha akuzoi kryesocialistin Rama se ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por shtoi se ai do të marrë përgjigjen e merituar në 23 qershor. “Rama bllokoi miratimin e tre ligjeve për marrjen e statusit. Ai nuk i bllokoi ligjet se PS nuk e ka në axhendën e saj integrimin, por sepse  mendoi se qeveria do të fitonte kapital politik duke marrë statusin. Qeveria do të fitonte kapital, do të fitonte edhe opozita, por më shumë do të fitonin shqiptarët. Bllokimi i Ramës për tre ligjet, për të mos marrë statusin, ka sjellë pasoja të papërshtatshme për vendin, por unë kam besimin e madh që zgjedhjet do ti japin përgjigjen më të mirë këtij problemi”, shtoi Berisha.
Kryeministri premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme qeverisëse do të ndërtohen të gjitha rrugët në qarkun e Gjirokastrës. “Ne ndërtuam 10 mijë km rrugë dhe ndërtimi i tyre u bë i mundur nga rritja ekonomike dhe nga lufta kundër korrupsionit. Mblodhëm 9.2 miliardë dollarë më shumë se qeveria e mëparshme. Po ndërtohet në të katër anët e qarkut të Gjirokastrës. Zotimi ynë është që të ndërtojmë çdo rrugë, alternativa jonë është zhvillimi i shpejtë i vendit, alternativa jonë është krijimi i vendeve të reja të punës”, u shpreh kryeministri.
Përurohet fillimi i punimeve në rrugën Picar-Golem, si dhe argjinaturat mbrojtëse të lumit Drino, në Gjirokastër/Kryeministri Sali Berisha e përkufizon koalicionin opozitar PS-LSI, si aleanca e negociuar nga kontrabandistët. Nga Gjirokastra ku përuroi fillimin e punimeve në rrugën Picar-Golem, në Gjirokastër, investim me vlerë 80 milionë lekë, Berisha iu referua bashkëpunimit të Edi Ramës me Ilir Metën. “Para 2-3 javësh bëri një aleancë me ndërmjetësinë e kryekontrabandistit të vendit. Pasi ia mbyllëm kanalet e kontrabandës dhe e patën arrestuar atë 6-7 vjet më parë, Nard Koka u fut në aleancë. Në rregull, nuk ka asgjë. Normale, forcat politike bëjnë zgjidhjen e tyre. Po tani u thoshte të tjerëve se duhet të marrim edhe Ilirianin se jemi në qeveri. Po nuk mund të jesh edhe qeveri edhe opozitë. Ose je qeveri ose je opozitë. Kjo është logjika. Se kush është qeveri dhe kush është opozitë, atë e ka përcaktuar Kushtetuta. Disa ditë më parë i deklarova se ngjalat e Nard Kokës do të ngelin në fyt, i ngeli e para. Prisni se ju jap fjalën e nderit që një e nga një gjithsecila. Edhe kësaj herë do ta ketë shumë të rëndë problemin, se halat e ngjalave nuk dalin kurrë nga fyti”, u shpreh Berisha.
Tërheqja e anëtarëve nga KQZ-së sipas kryetarit të mazhorancës është frikë nga zgjedhjet. Edhe pasi u bashkuan janë në pakicë, tha Berisha për PS dhe LSI. “Tani kapitulluan. Burrat janë për fushëbetejë, nuk janë për të kapitulluar. Beteja elektorale duhet të shkojë deri në fund. Nuk ua mban, tërhoqën komisionerët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kurrë mos i ktheni, po të doni. Zgjedhjet shqiptarët do t’i bëjnë të lira dhe të ndershme. Je i pashpresë, zoti Rama. U bashkuan, e panë që u zvogëluan dhe tani shohin karrigen e amshuar me dylbi. U largohet çdo ditë e më shumë. Absolutisht, po!”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit iu përgjigj edhe kërcënimeve të Ramës për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve. “Dje (pardje) u ka deklaruar të tjerëve se në rast se nuk fitoj zgjedhjet nuk do të njohë rezultatin. Cilin po tremb me atë? Kurrë mos e njih rezultatin. Po ta them nga këtu, nga komuna e Picarit: kurrë mos e njih rezultatin, se nuk çudit asnjeri. Ti je një njeri që përdor çdo pushtet që të kanë besuar qytetarët për të bllokuar këtë vend. Ti ke renditur një seri bllokimesh dhe je unik në Ballkan edhe në Evropë”, theksoi Berisha.
As shtyrja e zgjedhjeve nuk do të ndodhë. Sipas tij, Edi Rama po përgatitët për këtë. “I tërhoqi komisionerët dhe po bëhej gati, a mund ta imagjinoni ju, të kërkonte shtytjen e zgjedhjeve. I çova fjalë: asnjë sekondë! Po të duash që tani deklaro se nuk do të marrë pjesë, se në mënyrë absolute qoftë edhe një sekondë nuk shtyhen zgjedhjet. Ai është një njeri që do të prishë çdo proces normal të këtij vendi. Por edhe ky vend, kam bindjen më të madhe siç besoj tek Zoti,  siç besoj tek Shqipëria, do t’i japë atij atë që meriton më 23 qershor”, deklaroi Berisha.
Rruga Picar-Golem, është një investim me vlerë 80 milionë lekë. Rruga, me gjatësi 4 kilometër, do të ndërtohet sipas parametrave bashkëkohore dhe urbanizon plotësisht komunën e Picarit. Gjithashtu, rruga Picar-Golem me shtrirjen e mëtejshme do të lidhë këto zona me zona të tjera të Kurveleshit edhe me detin. Gjate këtyre viteve  në qarkun e Gjirokastrës janë ndërtuar mbi 400 kilometra rrugë kombëtare dhe rurale, 97 sisteme ujësjellës-kanalizime, 74 shkolla  e kopshte për fëmije, 40 objekte të trashëgimisë kulturore, 27 qendra shëndetësore, si edhe spitalin rajonal. Në këtë qark janë subvencionuar 1000 fermerë e blegtorë. Gjithashtu, në sistemin e energjisë elektrike janë investuar dhe janë ne proces 210 milion euro, nga të cilat 1 miliardë lekë  shkojnë për fuqizimin e rrjetit dhe rehabilitimin e nënstacioneve elektrike të qarkut.
Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë se “mbetemi të zotuar që kudo që banojnë shqiptarët t’u japim atyre infrastrukturën e njëjtë me lagjet e qyteteve, t’i ndërtojmë atyre rrugë shumë të mira, shkolla moderne, ujësjellës, kanalizime”.
Gjithashtu, dje kryeministri Berisha inauguroi dhe argjinaturat mbrojtëse të lumit Drino, në Gjirokastër, investim ky me vlerë 320 milionë lekë. Lumi Drino prej shume vitesh përbente problem për përmbytjet që shkaktonte në zonën fushore të Gjirokastrës, por me sistemimin e shtratit të këtij lumi nga ndërhyrjet që u realizuan në periudhën 2011-2012 është mundësuar pastrimi dhe sistemimi i plotë i shtratit të tij në një gjatësi rreth 4.5 kilometër dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mbrojtjen nga përmbytja të rreth 2000 hektarë tokë, si edhe objekteve ekonomike të rëndësishme për zonën. Kryeministri Berisha, në përgjigje të interesit të medias, u shpreh se ky investim bën një sistemim të shkëlqyer të shtratit të lumit Drino dhe e shndërron në një segment pothuaj të lundrueshëm. “Pas fillimit të punimeve në hidrocentralin e Suhës, i cili ka një digë të konsiderueshme dhe rezervuar të madh, uji në lumin Drino mund të rregullohet dhe ky segment mund të bëhet një nga pasqyrat ujore, një nga segmentet më të bukura. Gjirokastra bëhet me lumin e saj të lundrueshëm”, tha kryeministri.
Kryeministri Berisha, iu përgjigj edhe interesit të medias.

Si e cilësoni koalicionin opozitar?
Koalicionin unë e kam cilësuar si aleanca e ngjalave apo aleanca Koka. Kjo nuk më shqetëson fare, sepse secili merr vendimet e tij, në interesin më të mirë. Por qesharake është ideja e Ramës, i cili fluturonte nga gëzimi se morëm një pjesë të qeverisë. Mori një pjesë të qeverisë, por nuk mori qeverinë. Dhe ideja e tij se duke shkuar në zgjedhje kanë shanse edhe qeveri e madhe edhe qeveri e vogël. Zero shanse kanë ata. Tani e ka kuptuar se në vend që të rriteshin, janë zvogëluar sa asnjëherë, janë në rekordin më të ulët historik. Pardje filloi, ‘të shtyjmë datën e zgjedhjeve’. ‘As edhe një sekondë’, ishte përgjigja. ‘Po nuk hyj’. Mos të hyjë. Po kapitullon para se të shkojë në zgjedhje. Dje (pardje) i bënë presion të jashtëzakonshëm Jani Janit dhe i thanë  ‘ngri në verë’. A ngrin burri në verë? Dje deklaronte brenda selisë mavi se ‘komisionerët nuk i kthej, sepse nuk do të njoh zgjedhjet, po nuk fitova’. Përgjigja ime, ‘kurrë mos i njih!’. Mua nuk më shqetëson se qëndron ai në krye të partisë mavi apo të partisë tjetër. Ato janë jashtë axhendës time. Axhenda ime janë qytetarët, janë këta burra dhe gra që kërkojnë rrugë, kërkojnë ujë, kërkojnë qendra shëndetësore, kërkojnë shkolla, kërkojnë energji elektrike, kërkojnë punë për vete dhe për fëmijët e tyre. Kjo është axhenda ime. Axhenda ime nuk mund të jenë kurrë marrëzitë e pafund të Edi Ramës. Ato le t’i mbajë për vete. Ai ka një psikologji bllokimi. Bllokoi tre ligjet, tani thotë po bllokoj KQZ-në. Por ja që ligjvënësi kur ka bërë KQZ-në e ka parashikuar që Rama mund të bllokojë dhe nuk bllokon asgjë.

Ndërkombëtarët kanë folur për faktin se situata...?
Shqiptarët, ndërkombëtarët dhe e mbarë bota kanë një kërkesë: Kushtetuta të respektohet. Se mendon Rama se mori tre ministri dhe u bë qeveri, ajo është punë e tij. Kushtetuta përcakton se kush është qeveri dhe kush është opozitë. Ne këto gjykime le t’ia lëmë sovranit me 23 qershor. Por faktikisht, ai (Rama) filloi kapitullimin pa pritur as fillimin zyrtar të fushatës elektorale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›