“Sistemi i drejtësisë, jo peng i kurtheve të opozitës”

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi përshëndet miratimin në Kuvend të Paketës Civile
“Qytetarët janë përfituesit kryesor të reformës së ndërmarrë në sistemin e drejtësisë”, deklaroi dje ministri i Drejtësisë, Edurd Halimi gjatë një komunikimi me mediat. Ai përshëndeti miratimin nga ana e Parlamentit të paketës civile, si pjesë e rëndësishme e reformës në sistemin e drejtësisë. “Ndryshimet e miratuara në kuvend udhëhiqen nga interesi më i mirë i qytetarëve, me synim për të ofruar shërbime më të mira, më të shpejta, më efikase për të gjithë. Sikurse është bërë e ditur, reforma e miratuar tashmë, do të rrisë efikasitetin e sistemit të drejtësisë, do të reduktojë procedurat si dhe ulë kostot për qytetaret si në rastin e marrjes së dëshmisë së trashëgimisë etj. Në sajë të kësaj reforme, procedura për lëshimin e dëshmisë se trashëgimisë, kalon nga gjykata tek noterit, çka do të eliminojë sorollatjet e qytetarëve nëpër gjykata, do te reduktoje koston dhe kohën e tyre. Njëkohësisht, do të lehtësohen edhe Gjykatat nga shqyrtimi i këtyre çështjeve që janë të shumta në numër, për rrjedhojë Gjykatat do të mundësojnë për qytetarët një shërbim gjyqësor më të shpejtë”, u shpreh Halimi.
Përfituesit e drejtpërdrejtë janë të paktën 30 mijë qytetarë në vit, të cilët largohen nga dyert e gjykatave për t’i zgjidhur çështjet e tyre me më shumë lehtësi tek noterët. 100 mijë qytetarë të tjerë në vit që kanë konflikte civile gjyqësore do të përfitojnë shërbim më të shpejtë dhe më efikas. Shtimi i numrit te gjyqtarëve në gjykatën Tiranës dhe apelin e Tiranës në javët në vijim do të bëjë që qytetarët e Tiranës, por dhe të gjithë Shqipërisë të marrin një shërbim në pak muaj dhe jo në vite.
Risitë e paketës civile të miratuar kanë të bëjnë me shkurtimin e kohës për të përfituar dëshminë e trashëgimisë dhe urdhrin e ekzekutimit; zvogëlohen shpenzimet; pagesa në vlerën 25.000 deri në 30.000 lekë të nevojshme për një proces gjyqësor nuk do të ketë më; urdhrat e ekzekutimit së bashku me dëshmitë e trashëgimisë kalojnë ne procedure One Stop Shop; marrin fund problemet e njoftimeve, fillon praktika e njoftimit me SMS duke e vendosur teknologjinë në të mirë të proceseve gjyqësore.
“Dixhitalizimi ka qenë premtimi ynë, por ai po merr forme çdo ditë”, theksoi ministri Halimi.
Ai shprehu zotimin e mazhorancës për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe shkëputjen e tij nga interesat e ngushta politike të opozitës, siç ka bërë me Gjykatën Administrative. “Jemi në prag të fillimit të funksionimit të dhomave administrative. Do bëjmë gjithçka është e mundur për të mos lejuar që sistemi i drejtësisë, problematikat e qytetarëve dhe mbarëvajtja e biznesit të ngecin në kurthet e interesave të ngushta politike të opozitës”.