Koalicioni i Edi Ramës - Ali Baba me 40 komunistë
Zhvatësi i politikës, i cili e kalon kohën duke grabitur meritat e së majtës dhe duke qerasur 99-shat që i kryejnë shërbime jopolitike, shpalli dje se ka firmosur me 40 aleatë. Ata në fakt janë trashëgimi e vërtetë e hajdutllëkut komunist, bashkuar me arrivizmin e bijve-pehlivanë në epokën e demokracisë dhe garantojnë një front social-komunist që premton veç një gjë: paralizimin e reformave dhe kthimin e vendit në imazh të paligjshmërisë së Ali Babës apo të Kim Jong Ramës
Edi Rama e ka të vështirë të shkëputet nga bindjet e tij të vërteta. Dhe fatmirësisht këtë e bën ditën për diell, pikërisht në kulmin e fushatës së promovimit të programit të “Rilindjes”. Pompimi mediatik se alternativa e tij i duhet Shqipërisë, është një rreng i madh, nisur nga shumë faktorë demotivues të kësaj klike pseudo-alternative. Por hataja ka të bëjë me partnerët e tij të koalicionit opozitar; aty janë të gjithë së bashku nga socialistë, komunistë etj., etj.
Dje, Edi Rama depozitoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 40 partitë e koalicionit opozitar, midis të cilëve edhe Partinë e Punës të Rinovuar, ithtarët e regjimit hoxhist. Pjesa tjetër është mbushje interesash mes kryetarëve dhe lidershipit socialist. Në këtë listë të tejzgjatur dhe me një numër simbolik, ka edhe të pakënaqur, pasi pas krushqisë së re, një pjesë e mirë e aleatëve tradicionalë të PS ndjehen të lënë pas dore, ndërsa 2-3 prej tyre kanë humbur shpresat për një riafrimitet të mundshëm me Edi Ramën. Nuk mungojnë as zilitë e shprehura në distancë, pasi grupi i komplotistëve me 40 parti politike, ka bërë edhe ndarjen e racioneve të qeverisë në hije, sigurisht duke lënë edhe të pakënaqur.
Gjithsesi, e rëndësishme është që, koalicioni i të 40-ve (se, pse ka zgjedhur numrin 40-të, Edi Rama, askush nuk e di, por një lidhje logjike duhet ta ketë; a thua ka të bëjë me plaçkitësin, Ali Baba me 40 hajdutë?!), është iniciuar për një qëllim serioz, gjithçka vërtitet rreth interesave të ngushta politike dhe përfitimeve që nisin nga krushqia e deri te grupimi masiv i të 40-ëve. Kësisoj, s’do mend të kuptohet se Edi Rama rikthehet në identitet, rikthehet në linjën që i përket, atë të dajës së tij Spiro Koleka, duke kërcënuar investitorët me rritje të taksave, me pasojë të drejtpërdrejtë rritjen e papunësisë dhe varfërimin e familjeve shqiptare. Rikthehet në linjën e babait të tij që firmoste varjen e poetëve. Ky, i biri nuk ka gjë në dorë, por atë që e ka e demonstron po aq mirë sa paraardhësit e tij.
Kastriot Islami e njeh më mirë se kushdo përndjekjen tipike diktatoriale të të birit të Kristaqit dhe adhuruesit të Enverit. Gjithçka demonstrohet haptazi, në sy të të gjithëve, Edi Rama ka mbledhur rreth vetes klikën soc-komunist, për të vetmin qëllim zaptimin e shqiptarëve përmes terrorit dhe panikut, largimit të investitorëve dhe mbylljes së vendeve të punës.
Ndërprerjes së raporteve me ndërkombëtarët, siç edhe ka bërë ditët e fundit kur shpërfilli apelin e SHBA-së dhe OSBE-së për mos-tensionimin situatës parazgjedhore dhe mbajtjen korrekte të raporteve të politikës me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai, bëri të kundërtën. U izolua në bunkerin mavi dhe vetëm dje, firmosi zyrtarisht koalicionin: “Ali Baba me 40 komunistë”, duke përforcuar edhe premtimet që iu kish dhënë më parë se, “torta e qeverisë” do jetë e të gjithëve, e krushqisë dhe e tërë grupit vartës të të 40-ëve. Aleanca u përforcua, ku me bashkim ngjalash e ku me rikthim në identitet, në gjithë këtë aksion anti-berishist, të gjitha “qelbësirat” janë bashkë.