E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton me debate rezultatet për Beratin dhe Dibrën

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në mbledhjen e pasdites, vendimin për tabelat përfundimtare të rezultateve të Qarkut të Beratit, për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.
Sipas relacionit shoqërues të vendimit, tabelat përfundimtare mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga 4 KZAZ-të e këtij Qarku.
Mbledhja u shoqërua me debate mes anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të dy partive kryesore. Sipas nënkryetares Deshira Subashi rezulton pa u numëruar një kuti votimi. Ajo ka kërkuar që të mos miratohet tabela përmbledhëse, deri sa të zgjidhet problemi që është konstatuar.
Por kundër është shprehur kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka kërkuar të procedohet me votimin për miratimin e rezultatit. "Duke vërejtur problematikat bëni ankim dhe më pas ato të korrigjohen në fazën e ankimit"- tha ai. Pas votimit, me 4 vota pro dhe 2 kundër është miratuar tabela përmbledhëse për qarkun e Beratit.
Për votimet e 28 qershorit në qarkun e Beratit funksionuan 311 qendra votimi, ndërsa numri i zgjedhësve të regjistruar ishte 169 423.
Sipas rezultatit paraprak të KQZ-së, të publikuar mbrëmjen e 3 korrikut, në këtë Qark koalicioni "Aleanca e ndryshimit" mori 3 mandate, "Aleanca Socialiste për Integrim" 1 mandat dhe koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 4 mandate zgjedhore.

Pas Beratit me debate janë miratuar edhe tabelat përfundimtare të rezultateve të Qarkut të Dibrës, për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.
Me 4 vota pro dhe 3 vota kundër, KQZ miratoi tabelat përfundimtare të rezultateve të këtij qarku, të cilat mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga 3 KZAZ-të e Qarkut të Dibrës.
Për votimet e 28 qershorit në qarkun e Dibrës funksionuan 318 qendra votimi, ndërsa numri i zgjedhësve të regjistruar ishte 122 287.
Sipas rezultatit paraprak të KQZ-së, të publikuar mbrëmjen e 3 korrikut, në këtë Qark koalicioni "Aleanca e ndryshimit" mori 4 mandate, ndërsa koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" mori 2 mandate.
Deri tani KQZ ka miratuar tabelat përfundimtare të rezultateve për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit për 6 Qarqe dhe konkretisht për qarkun e Dibrës, Durrësit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit dhe Beratit. Gjatë ditës së nesërme KQZ pritet të mblidhet për të marrë në shqyrtim edhe tabelat e rezultateve për Qarkun e Fierit dhe Qarkun e Shkodrës.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›