E Diel, 1 Nëntor 2026

Riker: Zgjedhjet më të mira post komuniste, të shfrytëzohen për integrimin

08-07-2013 / Gazeta 55

Mesazhi i diplomatit amerikan gjatë një takimi me korrespondentët e Ballkanit

Në një takim me korrespondentët e Ballkanit në Bruksel, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit amerikan për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker ka dhënë midis të tjerash një mesazh të qartë për Shqipërinë. Shqipëria duhet të ecë përpara në integrimin europian, duke shfrytëzuar oportunitetin që i ofrohet pas zhvillimit të zgjedhjeve më të mira që pas fundit të komunizmit: “Kishte një pjesëmarrje të madhe të votuesve, një vendim shumë të qartë të votimit dhe një proces shumë të mirë zgjedhor. Mund të them që është procesi më i mirë zgjedhor që prej fundit të epokës së komunizmit. Ne kemi parë qëndrime shumë pozitive prej kryeministrit Berisha gjatë fjalimit të tij, i cili e mbajti nivelin e retorikës të lartë edhe pas një humbjeje të hidhur, por dhe nga kryeministri I ardhshëm Edi Rama. Është shumë e rëndësishme që koalicioni i ri qeveritar që do marrë funksionet në shtator të shohë përpara. Pata rastin që të flas me këtë me zotin Rama gjatë evenimentit të Zagrebit”.
Pyetjes së ABC News, se disa europianë mendojnë, se demokracia shqiptare do të kishte qenë më e shëndoshë nëse në zgjedhjet e 2009 Rama do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim, Philip Reeker i është përgjigjur si vijon: “Është gjithnjë shumë interesante që të diskutohet për skenarë të ndryshme me nëse, sikur. Ne mund të diskutojmë shumë në qoftë se. Por me zhvillimin e një procesi shumë të mirë dhe pozitiv zgjedhor këtë radhë në Shqipëri, kemi një oportunitet që duhet të përdoret në drejtimin e duhur, veçanërisht për ta rifutur vendin në shinat e procesit të anëtarësimit në BE. Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe vitin e kaluar nga kolegët tanë të BE-së, ambasada amerikane në Shqipëri, duke përfshirë edhe përpjekjet në Uashington, në mënyrë që Shqipëria të fitonte statusin e kandidatit. Kishte kritere shumë të qarta për t’u plotësuar nga Shqipëria. Dhe ne ishim të gjithë të zhgënjyer që vëmendja u përqendrua te zgjedhjet dhe politika në Shqipëri. Por tani që zgjedhjet i lamë pas, mendoj se liderët do të fokusohen te tranzicioni i ri, të shohin rekomandimet e ODHIR për përmirësimet që nevojiten të bëhen dhe të vazhdojnë me të njëjtat tone që janë përdorur nga zoti Rama dhe kryeministri Berisha pas zgjedhjeve. Politikanët duhet të kuptojnë mesazhin e popullit shqiptar që thotë: Ne duam më pak politike dhe më shumë progres. Kjo është ajo që SHBA-të, ambasada jonë dhe Komuniteti Ndërkombëtar përpiqen të bëjnë në Shqipëri”.
Lidhur me dialogun Prishtinë Beograd, Reeker ka përshëndetur progresin historik një vjeçar të bërë nga Serbia dhe Kosova dhe ka thënë se çelësi i suksesit tani mbetet zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›