PD duhet të ketë një skedar të kontributeve të anëtarëve
Sokol Olldashi takim me anëtarët e PD, Grupseksioni nr.1
Kandidati për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të fokusohet tek një paketë ristrukturimi që mundëson inventarizimin e kontributeve të anëtarëve të saj. Olldashi tha në një bashkëbisedim me strukturat grupseksionit nr 1 në Tiranë, se është shumë i rëndësishëm raporti që do të ndërtohet me anëtarët e partisë , të cilët i cilësoi si gurët e themelit të Partisë Demokratike.
“Ky element është inventarizimi i kontributeve. Ne kemi nevojë që skedarët e anëtarësisë së partisë të mos i kemi thjesht lista emrash dhe data anëtarësie. Nëse, ne sot se nuk i referohemi memories se drejtueseve të strukturave tona, ne e kemi te pamundur te identifikojmë kontributin e militantëve tanë, kontributin e anëtarëve të Partisë dhe kjo na çon që vlerësimi i gjithsecilit prej tyre të mbetet ne objektivitetin apo subjektivitetin e drejtuesve politikë. Është e pamundur që kjo të çojë në një trajtim të drejtë dhe të ndershëm të anëtarëve të partisë. Trajtimi duhet të jetë real dhe që të jetë real duhet që ky skedar të krijohet me shpejtësi, në mënyrë që t’i japim gjithsecilit atë që realisht i takon dhe jo atë që unë mendoj se i takon”- u shpreh ai. Duke prezantuar platformën për drejtimin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi foli edhe për krijimin e një ekuilibri mes mekanizmit të përgjegjësive dhe mekanizmit të karrierës brenda strukturave bazike, duke theksuar se Partia Demokratike ka potenciale të jashtëzakonshme për të realizuar kthimin e shpejtë të saj në shumicë qeverisëse.