E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton sot listën përfundimtare të partive

Për herë të parë në një proces elektoral do të konkurojë për një vend në Kuvendin e Shqipërisë edhe një subjekt që mbron të drejtat e myslimanëve. Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman në garë me 2 parti kristiane. 

TIRANE- Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit pritet të garojnë 45 parti politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zyrtarizojë sot regjistrimin e tyre për këto votime. Për herë të parë në një proces elektoral do të konkurrojë për një vend në Kuvendin e Shqipërisë edhe një subjekt që mbron të drejtat e myslimanëve, sikundër është Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, me kryetar Sabri Jacaj.

Ndërkohë, partitë me filozofi kristiane që pritet të regjistrohen nuk përbëjnë surprizë, pasi nuk është hera e parë që ato marrin pjesë në proceset zgjedhore, madje duke fituar edhe deputetë, sikundër është Partia Demokristiane e Nard Ndokës apo Lidhja Demokristiane, me kryetar Nikollë Lesin.

Në zgjedhjet e 28 qershorit pritet të garojë gjithashtu për herë të parë edhe një forcë politike që mbron të drejtat e minoritetit maqedonas në vendin tonë, sikundër është Partia “Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian”, me kryetar Kimet Fetau. “Surpriza” tjetër në fletën e votimeve kanë për të qenë edhe dy subjekte politike që mbrojnë në mënyrë të veçantë të drejtat e emigrantëve shqiptarë. Këto parti janë, ajo “Për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve” dhe “Emigracioni shqiptar”. Sikundër është bërë e ditur ndër subjektet e reja që janë regjistruar janë ato të Spartak Ngjelës, e quajtur Partia Ligj dhe Drejtësi (PLiD), e Petro Koçit, e quajtur Partia Socialiste e Vërtetë 91 (PSV 91), partia “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet”, me kryetar Gaqo Apostolin si edhe G99, me kryetar Erion Veliaj.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, subjektet politike duhet të regjistrohen 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, më parë si subjekt politik më vete dhe pastaj si koalicion zgjedhor. “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve”, thuhet në nenin 65 të Kodit. Ndërkohë, në nenin 68 citojmë shprehimisht se “Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 10.000 zgjedhës”. Nuk dihet ende sa prej 45 subjekteve që do të shqyrtohen sot nga KQZ kanë arritur apo jo të sigurojnë firmat e 10 mijë votuesve.
(s.g/GSh/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›