KQZ në ngërç, pas Denar Bibës dorëhiqet edhe Albana Shtylla. Topalli i kërkon Ruçit 2 emra të rinj
Një tjetër anëtar i KQZ ka dhënë dorëheqjen paraditen e sotme. Albana Shtylla, përfaqësuesja e propozuar nga PS si anëtare e institucionit më të larë zgjedhor KQZ ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti që mbante.
Dorëheqja e saj është prezantuar në KQZ rreth orës 10:30 dhe ka ardhur për të njëjtat arsye sikurse dorëheqja e një ditë më parë nga ana e nënkryetarit të KQZ Denar Biba.
Sipas Shtyllës, akti i kuvendit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ ka cenuar pavarësinë e çdo anëtari.
Zbatimi i ligjit dhe paanësia politike më ka karakterizuar gjatë karrierës sime. Kushdo që do të ishte në kushtet kur i cenohet garancia ligjore dhe integriteti profesional do të bënte të njëjtën gjë u shpreh Shtylla në një prononcim për mediat.
Në këtë mënyrë dy anëtarë të PS në KQZ japin dorëheqjen duke e futur në në kaos institucionin më të lartë të zgjedhjeve.
Dorëheqja e 2 anëtarëve të PS në KQZ, Topalli-Ruçit: Sill propozimet për dy anëtarët e rinj
Kuvendi ka administruar sot dorëheqjet e dy përfaqësuesve të PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba dhe Albana Shtylla.
Në një njoftim të Kuvendit thuhet se i është kërkuar përmes një shkrese kryetarit të grupit të PS-së që të sjellë propozimet e reja për zëvendësimin e tyre.
Kuvendi, pasi administroi dorëheqjet e z. Biba dhe znj. Shtylla, bazuar në pikën 3 të nenit 19 të Kodit zgjedhor, e cila thotë: Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës, i kërkoi kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, me shkresë nr.790, dt. 17.04.2013, që të sjellë, brenda afateve, propozimet e PS-së për zëvendësimin e dy anëtarëve të PS-së në KQZ. Kjo, e bazuar në pikën 2 të nenit 19 të Kodit zgjedhor, ku thuhet: Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
17 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
KQZ në ngërç, pas Denar Bibës dorëhiqet edhe Albana Shtylla. Topalli i kërkon Ruçit 2 emra të rinj burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email