Withers: Jeni mes demokracisë dhe diktaturës
Intervistë bombë e ish-ambasadorit amerikan. Te Ministria e Brendshme, Berisha vuri dhelprat për të ruajtur kotecin zgjedhor. Kryeministri ka miq tek OSBE
Intervistë për gazetën Shqip
John L. Withers II
16 prill, 2013
Intervistoi: Gjergj Erebara
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John L. Withers II, dha një intervistë për gazetën Shqip ku analizon me gjuhë aspak diplomatike situatën aktuale në Shqipëri si një pikë vendimtare: Shqipëria, thotë ai, më 23 qershor do të përcaktojë nëse do të ecë drejt demokracisë, apo drejt diktaturës. Berisha bëri një grusht shteti administrativ në zëvendësimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të hënën dhe shqiptarët janë ata që duhet të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor më shumë sesa vëzhguesit ndërkombëtarë. Manipulimi i zgjedhjeve është një shqetësim real dhe i bazuar, pasi sipas ish-ambasadorit, Berisha ka emëruar dhelprat e tij besnike si roje te koteci i zgjedhjeve.
Withers qe ambasador në Tiranë nga gushti i vitit 2007 deri në dhjetor 2010. Gjatë kësaj kohe, ai u përball me disa tentativa antidemokratike të qeverisë së Berishës, përpjekjet për të kontrolluar shërbimin sekret, për të fshehur të vërtetën rreth tragjedisë së Gërdecit, si dhe përndjekjet ligjore të dështuara kundër Lulzim Bashës për skandalin e kontratës 1 miliard euro të rrugës Durrës-Kukës e raste të tjera. Një historian nga profesioni, aktiviteti i tij pas kuintave u bë i ditur nga publikimi i kabllogrameve të diplomacisë amerikane nga organizata Wikileaks. Zyrtarisht, Shtetet e Bashkuara as nuk e konfirmojnë dhe as nuk e mohojnë vërtetësinë e kabllogrameve. Withers rezulton nga kabllogramet një njohës i thellë i Shqipërisë, me interes të veçantë për historinë dhe kulturën e popullit shqiptar, një vëzhgues i hollë i figurave politike nga mazhoranca dhe opozita.
Nga kabllogramet u bë e ditur një situatë shumë miqësore mes qeverisë së Berishës dhe diplomacisë amerikane që vijoi deri në kohën e shpërthimit në Gërdec, një situatë që u përmbys totalisht pas përpjekjeve të Berishës për të mbrojtur përgjegjësit e tragjedisë nga drejtësia. Marrëdhëniet u ftohën dhe ambasadori Withers u konsiderua shumë shpesh si armiku kryesor i qeverisë. Pas largimit të tij dhe daljes në pension nga shërbimi diplomatik amerikan, Withers ka dhënë disa intervista të hapura dhe pa gjuhë diplomatike. Shpesh qeveria dhe zyrtarët e saj janë përpjekur të ulin rëndësinë e fjalëve të pakompromis të Withers duke argumentuar se mendimet e tij nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të SHBA-së apo se ai është një pensionist. Withers vetë thotë se këto janë mendimet e një qytetari amerikan, por ama janë mendimet e një qytetari privat shumë të shqetësuar për fatin e Shqipërisë. Kjo është intervista më e ashpër deri më sot e ish-ambasadorit Withers dhënë për median shqiptare.
Intervista do të publikohet e plotë në dy numra të gazetës Shqip, ditën e mërkurë dhe të enjte më 17 dhe 18 prill. Ambasadori Withers harxhoi disa javë kohë në përgatitjen e përgjigjeve dhe në këtë kohë shumë gjëra ndryshuan, përfshirë krijimin e aleancës Meta-Rama dhe ndryshimin e anëtarit të KQZ-së. Megjithëse në pension, Withers duket i informuar shumë mirë për ngjarjet kryesore që kanë ndodhur në Shqipëri.
Hyrje
Fillimisht më lejoni të them se sa mirënjohës jam ndaj z. Besnik Myftari, drejtor i gazetës prestigjioze Shqip, që më tha mundësinë për këtë intervistë. Unë dua të falënderoj gjithashtu z. Gjergj Erebara për pyetjet e tij të mprehta. Tashmë unë jetoj larg Shqipërisë, por mendimet e mia janë ende shumë me vendin dhe popullin tuaj. Unë nuk jam më një diplomat dhe mendimet e mia nuk reflektojnë ato të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Këto janë vetëm mendimet e mia si një amerikan privat.
Por fjalët vijnë nga një njeri që beson te Shqipëria dhe që shqetësohet thellë për ju, miqtë e mi shqiptarë. Mendimet e mia janë ato të vetëm një njeriu, por unë përfaqësoj frymën e të shqetësuarit për vlerësimin tuaj.
Pyetja 1: Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të përgjithshme më 23 qershor. Çfarë rëndësie mund të kenë këto zgjedhje për shqiptarët?
Besoj se kur historianët në të ardhmen do të shikojnë pas më 23 qershor 2013, ata do ta shënojnë këtë si një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë.
Se si do të votojnë shqiptarët, do të përcaktojë asgjë më pak se sa faktin nëse Shqipëria do të rikonfirmojë qëndrimin e vet në listën e demokracive të botës apo do të tërhiqet edhe një herë te një diktaturë e zymtë.
Përgjatë viteve të fundit, unë kam parë me shqetësim dhe trishtim se si qeveria e Kryeministrit Sali Berisha ka punuar pa pushim për të minuar liritë individuale, për të sabotuar institucionet e krijuara për ti shërbyer dhe mbrojtur popullin shqiptar dhe për të përqendruar fuqitë ekskluzivisht në duart e tij.
Gjykatat gjykatat tuaja janë detyruar të nënshtrohen. Presidenti nuk përfaqëson popullin në tërësi, por vetëm partinë e shumicës. Kritikët e qeverisë nga media shikoni sulmet aktuale të qeverisë ndaj Top Channel pikërisht tani janë bastisur për shkak se nuk janë dakord, njësoj si në kohën e komunizmit.
E çfarë ka mbetur pas kësaj për ju, popullin shqiptar? Ka mbetur një gjë, por një gjë shumë e rëndësishme e drejta juaj për të votuar. E drejta juaj për të përcaktuar jo vetëm se kush do ta drejtojë vendin, por edhe se si do të drejtohet vendi, në çfarë drejtimi dhe në bazë të kujt ligji.
Nuk është vendi im për të bërë avokati për ndonjë parti politike apo ndonjë udhëheqës politik. Por u them këtë votuesve shqiptarë: 23 qershori është dita juaj. Dita për të thënë jo ndaj diktaturës.
Është dita për ti thënë jo sundimit të njeriut të fortë. Është dita që ju ti thoni jo rikthimit tek e shkuara e errët, ndaj të cilës paraardhësit tuaj luftuan aq ashpër për ta rrëzuar. Është koha për ti thënë po ndryshimit. Është koha për ti thënë po të ardhmes.
Pyetja 2: Cilësia e administratës zgjedhore ka qenë shumë e ulët në të ardhmen. A mendoni se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të mundshme në Shqipëri?
Për fat të keq, keni të drejtë. Shqipëria shumë rrallë ka zhvilluar zgjedhje që kanë plotësuar kushtet themelore dhe universale të të qenët të lira dhe të ndershme.
E di se shumë njerëz janë lodhur dhe po shtrojnë pyetjen nëse ata mund apo duhet të presin që zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mira. Unë e kuptoj këtë ndjenjë, veçanërisht në dritën e veprimeve të fundit të autoritetit sundues. Shikoni lëvizjen e tij për të kapur kontrollin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tani që Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI) u largua nga qeveria. Veprimet e Parlamentit më 15 prill për heqjen e përfaqësuesit të LSI-së nga KQZ janë njëkohësisht në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe ligjin.
E thënë thjeshtë, është një coup detat (grusht shteti) administrativ kundër një institucioni që supozohet të jetë i pavarur. Parlamenti nuk ka bazë ligjore për të përmbysur prerogativat e Kodit Zgjedhor mbi KQZ-në.
Të ashtuquajturat argumente ligjore për të kundërtën janë kaq dukshëm të çuditshme dhe nuk reflektojnë as përmbajtjen dhe as qëllimin e Kodit. Ai nuk ka kurrfarë të drejte të marrë me mend frymën e ligjeve apo statuteve. (Me këtë logjikë, a do të vendosë ai një ditë se në fakt fryma e një vote është hedhur pikërisht në të kundërt të mënyrës se si votuesi e hodhi atë?)
Cili qe motivi i vërtetë i Parlamentit në ndërmarrjen e këtij veprimi ekstrem? Ne të gjithë e mbajmë mend se si qeveria përdori shumicën e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të ma