E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë "Reale" për Gramozin, në Tiranë vijnë galaktikët

TIRANE-Do të jetë ora 12.30 kur çarteri i nisur nga aeroporti "Barajas" i Madridit do të zbarkojë në Rinas. Në Shqipëri sot do të mbërrijë Reali i Madridit, skuadra më e madhe e botës, e njohur ndryshe me emrin "galaktike". Për ata që e kanë ndjekur këtë skuadër vetëm nga televizori, do të jetë një shans i artë për ta parë live në vizitën historike në "Qemal Stafa". Në tokën kuqezi do të zbarkojnë Kristiano Ronaldo, Rikardo Kaka, Karim Benzema, Ksabi Alonso, Raul Albiol, Iker Kasijas, Raul Gonzales, Lasana Diarra, Serxhio Ramos apo Fernando Gago. Emra nga më të mëdhenjtë e futbollit botëror, mjaft të kujtosh që vetëm në merkaton e verës Florentino Perez shpenzoi 252 milionë euro. Rreth gjysmë ore më vonë, në hotel "Sheraton" Reali do të japë konferencën e parë për shtyp në tokën shqiptare, ku përpara mediave do të jenë Ronaldo, Kaka dhe trajneri Manuel Pelegrini. Presidenti Perez e ka hequr nga axhenda konferencën, pasi thuajse në të njëjtin orar do të jetë në një drekë me presidentin e kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçin. Ndeshja Reali ka vetëm 5 mungesa për ndeshjen e sotme, të dëmtuarit Gonzalo Higuain, Van Nistelroi, Van der Vart dhe Pepe, si edhe Mahamadu Diarra, që pavarësisht se është eliminuar nga Kupa e Afrikës, nuk ka mundur të rikthehet në kohë. Ndeshja do të vendosë përballë Gramozin e Ersekës me skuadrën madrilene dhe do të jetë e vlefshme për edicionin e tretë të trofeut "Taçi Oil". Natyrisht që spektakli do të jetë tema kryesore e këtij takimi duke parë se diferenca në fushë do të jetë shumë e madhe. Në skuadrën shqiptare do të jenë disa futbollistë të Besës dhe disa të Tiranës, ndërsa Dinamo nuk ka pranuar t'i lëshojë të sajët. Takimi do të sjellë në Shqipëri edhe një numër të madh mediash të huaja, por edhe menaxherë të shumtë që nuk mungojnë kurrë në takimet e Realit të Madridit. Ndeshja do të nisë me një minutë heshtje nga të dyja skuadrat, në respekt të figurës së Panajot Panos, i ndarë dje nga jeta. Si lojtarët e Realit ashtu edhe ata të Gramozit do të mbajnë në krah nga një shirit të zi. Komentet Në Spanjë dhe në Evropë komentet për ardhjen e Realit të Madridit kanë qenë të shumta, ndërsa të gjithë duket se janë bindur se Florentino Perez i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme marketingut. "Reali i Madridit shkon në Shqipëri në këmbim të milionave", shkruan "cope.es". Vetë emri "Oil Cup" i bën të gjithë të mendojnë se bëhet fjalë për para të ardhura nga nafta. Fakti që ndeshja do të luhet në temperatura të ulta, ndryshe nga ato në Spanjë, ka sjellë jo pak kritika në shtypin vendas, pasi kjo mund të ndikojë në përgatitjet e Realit për takimin e radhës. Në fakt, mundësia e një dëmtimi është ajo që i druhen të gjithë tifozët e Realit, ndonëse ndeshja pritet të ketë vetëm nota miqësore.(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›