E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ nis pastrimin e kutive dhe djegien e fletëve të votimit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 05-01-2011 14:05

Të premten, më 7 janar, grupi i punës i përbërë nga shefat e drejtorive kryesore nis punën për seleksionimin e materialeve zgjedhore dhe pastrimin e kutive nga fletët që do të digjen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë të premten në datën 7 Janar, procesin e pastrimit të kutive zgjedhore, ose thënë ndryshe procesin e djegies së fletëve të votimit dhe seleksionimit të materialeve të tjera zgjedhore që duhet të arkivohen. KQZ ka ngritur dhe komisionin përkatës të punës, i cili do të merret direkt me procesin në të gjitha etapat e tij, që nga përzgjedhja e punonjësve, që do të rekrutohen, e deri tek bërja e kutive të gatshme për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ndërkohë që sot mbyllet procesi i aplikimeve për të gjithë të interesuarit që kërkojnë të marrin pjesë në këtë proces, si supervizor dhe punëtor logjistike.

Grupi i punës

Në zbatim të vendimmarrjes së KQZ-së, kreu i këtij komisioni, Arben Ristani ka nxjerrë urdhrin e brendshëm për të ngritur komisionin e punës, që do të merret me administrimin teknik të këtij procesi. Kështu, burime pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se grupi i punës përbëhet kryesisht nga shefat e drejtorive kryesore të KQZ-së, si njohës shumë të mirë të problematikës zgjedhore, përfshi këtu edhe të pastrimit të kutive zgjedhore nga materialet e votimeve të shkuara. Grupi i punës, siç mësohet, do të drejtohet nga Sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, Aljona Mansaku, e cila do të jetë përgjegjëse për mbarëvajtjen e gjithë procesit të hapjes së kutive dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor dhe materialeve brenda kutive të votimit. Komisioni do të jetë përgjegjës për seleksionimin dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor, të parashikuar në nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, i cili do t’i dërgohet Arkivit Qendror të Shtetit, seleksionimin e materialeve që mund të ripërdoren, si dhe për procesin e djegies së fletëve të votimit dhe kundërfletëve.

Punonjësit provizorë

KQZ do të punësojë personel të përkohshëm, i cili do duhet të angazhohet në punë, duke filluar nga data 7 Janar 2011 dhe deri në fillim të marsit, kur edhe parashikohet të mbyllet ky proces. Bëhet fjalë për rreth 48 punonjës si personel shtesë, të cilët janë ftuar në mënyrë zyrtare në faqen e KQZ, për të paraqitur dokumentacionin përkatës për të marrë pjesë në këtë proces. Sipas njoftimit të KQZ-së, inkurajohen që të aplikojnë të gjithë të interesuarit që kanë punuar më parë dhe kanë eksperiencë në logjistikën zgjedhore, ndërkohë që dokumentacioni përkatës pranohet deri ditën e sotme. Ndërkohë që për realizimin e këtij procesi KQZ ka parashikuar të harxhojë nga buxheti prej 4,134,250 lekësh, që do të përdoret për të gjitha mjetet e nevojshme për pastrimin e kutive, që nga benzina, thasët, solucionet pastruese dhe deri tek pagimi i personelit shtesë. Sipas vendimit të KQZ, parashikohen të blihen 1500 litra benzinë për djegien e fletëve të votimit dhe transportin e kutive dhe materialeve të tjera zgjedhore që duhet të arkivohen. Ajo që bie në sy në vendimin e KQZ-së është se për procedurën që do të ndiqet për pastrimin e kutive nuk kemi më referimin e tek vendimi numër 1 i vitit 2006, ashtu sikundër bëhej në projektvendimin e shtatorit të përgatitur nga KQZ për djegien e fletëve të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›