E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimi i partive, ja çfarë parashikon drafti i qeverisë

SHKRUAN: Nevila Perndoj 05-01-2011 14:00

Autoriteti kontrollues i raporteve financiare të partive politike do të jetë vetëm KQZ-ja, duke ia hequr këtë të drejtë KLSH-së. Hiqet edhe ndihma financiare shtetërore për partitë politike në çastin e krijimit.

TIRANË Qeveria i jep fund projektligjit për financimin e partive politike. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për partitë politike”, është miratuar nga Këshilli i Ministrave në fund të muajit dhjetor dhe së shpejti pritet që të depozitohet në Kuvend. Këshilli i Ministrave tërhoqi nismën e pak muajve më parë për partitë politike, duke përfshirë në të (me disa ndryshime) edhe disa çështje për financimin e partive politike. Përmbajtja e këtij projektligji është një harmonizim i dispozitave ekzistuese i ligjit aktual “Për partitë politike” me rregullat e reja të parashikuara në Kodin Zgjedhor, e cila përcakton regjimin e financimit të partive politike. Kështu në nenin 10 të projektligjit thuhet se çdo parti politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posacëm, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumën e fondeve të përfituara nga cdo person, fizik ose juridik, si dhe të dhëna që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në cdo rast, dhuruesi, në kohën e dhurimit, nënshkruan detyrimisht një deklaratë dhurimi, sipas formatit të miratuar nga KQZ-ja. Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdorherë publike. Po sipas këtij neni, dhurimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm në një llogari të posacme, të hapur në një bankë nga partia politike. Personi përgjegjës për financat në partinë politike, brenda tre muajve nga krijimi i partisë politike, deklaron pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në propjektligj përcaktohet gjithashtu ndalimi i përfitimit të fondeve jopublike, kryer nga subjekte që nuk deklarojnë identitetin e tyre apo identiteti i të cilëve është i papërcaktuar qartë nga partia politike përfituese e fondit jopublik. Ky fond, sipas draftit, shkon autimatikisht për llogari të KQZ-së. Nga përmbajtja e këtij drafti rezulton gjithashtu se autoriteti kontrollues i raporteve financiare të partive politike do të jetë vetëm KQZ-ja, duke hequr nga ky proces Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ky ndryshim është bërë me argumentin se KQZ-ja tanimë përbën një mekanizëm të pavarur dhe për pasojë ekziston mundësia e dhënies së mandatit, autoritetit dhe burimeve të mjaftueshme për të mbikëqyrur efektivisht dhe paraprakisht financimin e partive politike, për të hetuar dyshimet e shkeljeve të rregullave të financimit politik dhe, sipas nevojës, për të vendosur sanksione, duke argumentuar se kjo e drejtë buron edhe nga Kodi Zgjedhor. Në të njëjtën kohë, heqja e kompetencës kontrolluese e Kontrollit të Lartë të Shtetit është një proces i filluar plot 10 vjet më parë me një vendim të marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar pjesërisht kompetencat e këtij organi. Drafti synon gjithashtu që të vendosë rregulla për deklarimin nga partitë politike të të ardhurave, (sipas një formati të standartizuar, të miratuar nga organi monitorues i tyre), si dhe rregulla për auditimin e plotë të fondeve dhe shpenzimeve. Në hartimin e projektligjit të ri nuk është ndryshuar formula e financimit vjetor të partive politike nga buxheti i shtetit. Pavarësisht kësaj, ekspertët e kryeministrisë e kanë parë të udhës të bëjnë një riformulim të saj për të qenë në koherencë me Kodin Zgjedhor. Në projektligjin e ri është hequr apriori ndihma financiare shtetërore për partitë politike në çastin e krijimit, duke qenë se aktualisht figurojnë të regjistruara mbi 100 parti politike. Megjithatë, projektligji ka përfshirë procedurat se si duhet të fitohet ndihma financiare. Kërkesa për ndihmë financiare i paraqitet Ministrit të Financave nga kryetari i partisë politike ose një person i autorizuar prej tij. Vetëm nëse janë përmbushur kushtet e parashikuara pikërisht në draft, atëherë Ministri i Financave i propozon Këshillit të Ministrave që të miratojë dhënien e ndihmës financiare, për partinë politike, nga buxheti i shtetit.

Neni 2

Paragrafi i dytë, i nenit 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:

Partia politike regjistrohet me kërkesë të nënshkruar nga jo më pak se 3000 anëtarë themelues. Kërkesa për regjistrimin e një partie politike depozitohet në sekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Gjyqësor, Tiranë, dhe duhet të përmbajë, për çdo anëtar themelues:

emrin dhe mbiemrin;

numrin personal;

vendbanimin

Neni 4

Pas nenit 15 shtohen nenet 15/1 dhe 15/12, si pjesë përbërëse e kreut III “Mjetet financiare dhe materiale të partive”, me këtë përmbajtje:

Dispozitat e këtij kreu rregullojnë financimin e partive politike nga burime financiare dhe materiale, publike dhe jo publike, të cilat nuk rregullohen nga dispozitat e Kodit Zgjedhor.

Financimi i partive politike udhëhiqet nga partimi i transparencës. Të dhënat nga burimet financiare të partive, si dhe për shpenzimet e tyre publikohen kurdoherë

Rregullat e monitorimit, të mbikëqyrjes dhe të auditimit të burimeve financiare e materiale, në çdo rast, duhet të respektojnë barazinë për partive politike përpara ligjit dhe të mos cenojnë të drejtën e krijimit lirisht të tyre.

Neni 15/2

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive sipas rregullave të këtij ligji

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë dhe për zbatimin e këtij ligji, ka këto kompetenca:

harton dhe miraton rregullat për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike, si dhe për formatin e standardizuara për raportimin financiar vjetor miraton formatin e regjistrit të posaçëm të fondeve jo publike të partive politike, si dhe për formatin për formën dhe përmbajtjen e deklaratës së dhurimit të fondeve jo publike;

përzgjedh listën e ekspertëve kontabël të licencuar dhe i cakton me short ata për auditimin e fondeve dhe të shpenzimeve të partive politike;

ç) monitoron, mbikëqyr dhe auditon financimin e partive politike, ndërmjet kontrollit të dokumentacionit financiar e të llogarive kontabël të partive politike, të subjekteve të lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që ndodhen nën kontrollin e tyre;

vendos sanksione kur konstaton shkelje te dispozitave të këtij ligji;

dh) Harton udhëzues, programe ndërgjegjësuese dhe organizon trajnime për financimin e partive politike dhe të subjekteve të përfshira në këtë proces, sipas dispozitave të këtij ligji;

përcakton masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetoren në përputhje më këtë ligj;

ë) nxjerr akte nënligjore në bazë dhe për zbatimin e dispozitave të këtij ligji”.

Neni 5

Neni 18 (shfuqizohet)

Shteti ndihmon materialisht partitë politike në kohën e krijimit të tyre. Ndihma jepet menjëherë pas regjistrimit dhe është 100 000 lekë.

Neni 6

Neni 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:

Neni 19

Çdo vit në buxhetin e shtetit përcaktohet një fond që shërben si ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive politike. Ndihma financiare e parashikuar në buxhetin e shtetit në vitet jo zgjedhore, si rregull, nuk mund të jetë më e vogël se ndihma e parashikuar në vitin paraardhës

Ky fond ndahet sipas rregullave të mëposhtme:

70%, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor

20%, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare;

10%, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1% të votave në shkallë vendi. Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10%-i, i shtohet fondit prej 70% dhe u ndahet partive parlamentare

Masa konkrete e fondit publike, që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore në përputhje më këtë ligj, përcaktohet me vendim të KQZ-së. Ky vendim u njoftohet partive politike përfituese dhe Ministrisë së Financave

Ndihma financiare vjetore, në çdo rast, jepet vetëm nëse partia politike ka dorëzuar, paraprakisht, raportin financiar paraardhës, sipas rregullave të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mosdorëzimi i këtij raporti përbën shkak për përjashtimin e partisë politike nga përfitimi i ndihmës financiare vjetore

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përcakton masën konkrete të fondit publik për çdo parti politike, mund të ankimohet në gjykatë, në përputhje me rregullat për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

Neni 9

Neni 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

Neni 23

1.Partitë politike dorëzojnë raportet financiare një herë në vit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për:

a)burimet e financimit në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

b)shpenzimet në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve

c)subjektet e lidhura, drejtpërdrejt, ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partitë politike

2. Partitë politike dorëzojnë raportin vjetor financiar, së bashku me raportin e auditimit, të kryer nga ekspertë kontabël të licencuar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

3. Dorëzimi i raporti financiar vjetor bëhet nga personi përgjegjës për financat në partinë politike ose personi i përcaktuar sipas statutit të partisë politike, brenda afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

4. Gjatë vitit zgjedhor, raportet financiare të partisë duhet të dorëzohen së bashku me raportin financiar të fushatës zgjedhore.

5. Raporti financiar vjetor, raporti i ekspertëve kontabël të licencuar, raporti financiar i fushatës zgjedhore dhe raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve publikohen në faqen zyrtare të interneti të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se 30( tridhjetë) ditë nga koha e dorëzimit të tij prej partisë politike”

Neni 10

Pas nenit 23 shtohen nenet 23/1, 23/2, 23.3 dhe 23/4, me këtë përmbajtje:

“Neni 23/1

1. Çdo parti politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumën e fondeve të përfituara nga çdo person, fizik ose juridik, si dhe të dhëna që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çdo rast, dhuruesi, në kohën e dhurimit, nënshkruan detyrimisht një deklaratë dhurimi, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.

2. Dhurimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga partia politike. Personi përgjegjës për financat në partinë politike, brenda tre muajve nga krijimi i partisë politike, deklaron pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

3. Ndalohet përfitimi i fondeve jopublike, kryer nga subjekte që nuk deklarojnë identitetin e tyre apo identiteti i të cilave është i papërcaktuar qartë nga partia politike përfituese e fondit jopublik.

4. Çdo shpenzim i kryer nga partia politike kryhet dhe dokumentohet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.

Neni 23/2

1.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cakton me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar nga lista e përzgjedhur prej tij sipas këtij ligji, për të kryer auditimin e fondeve, të përfituara dhe të shpenzuara, gjatë vitit kalendarik nga partia politike. Caktimi bëhet brenda 45(dyzet e pesë) ditëve nga data e regjistrimit të partisë politike dhe në fillim të çdo viti kalendarik. Raporti i auditimit paraqitet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit të përcaktuar prej këtij komisioni në vendimin e caktimit të ekspertëve.

2. Partitë politike duhet të vënë në dispozicion të ekspertit, të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çdo informacion, dokument apo të dhënë që kanë të bëjnë më financimin dhe shpenzimet e kryera gjatë vitit kalendarik, sipas këtij ligji.

3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, nëpërmjet pyetjes së personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjes së dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të partive politike që kanë paraqitur raportin, si dhe marrjes së çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë. Personat fizikë dhe juridikë janë të detyruar të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin normal të procedurës së verifikimit.

4. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon raportet e auditimit për partitë politike brenda 30 (tridhjetë)ditëve nga koha e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga koha e mbylljes së procedurës së verifikimit.

5. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë ligj nga partitë politike apo adhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas parashikimeve të këtij ligji.

Neni 23/3

1 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përzgjedh, me konkurrim, një listë të ekspertëve kontabël të licencuar, në fillim të çdo viti, e cila duhet të përmbajë të paktën 20 (njëzet) ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 (pesë) vitet e fundit.

2.Procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe caktimit të ekspertëve kontabël të licencuar përcaktohen me udhëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në çdo rast, një ekspert kontabël nuk mund të auditojë të njëjtën parti politike për dy vjet radhazi.

3.Shpenzimet e nevojshme për auditimin e partive politike mbulohen nga vetë partitë politike, të cilat transferojnë fondet e nevojshme, për këtë qëllim, në llogarinë bankare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rregullat e hollësishme për realizimin e këtij procesi përcaktohen me udhëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Neni 23/4

1 Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike nga ana e peronit përgjegjës për financat në partinë politike apo e personit përgjegjës sipas statutit të saj dënohet me gjobë, nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

2. Shkelja e detyrimit për bashkëpunimin me ekspertin kontabël të licencuar, të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga ana e partisë politike, dënohet me gjobë, nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.

3.Refuzimi për të bërë transparent burimet e financimit të partisë politike apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertit kontabël të licencuar a të Komisionit Qendror të zgjedhjeve, dënohet me gjobë, nga 2 000 000 lekë deri në pezullimin për 5(pesë) vjet të financimit për partinë politike.

4.Shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formative të standardizuara, të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dënohen me gjobë, nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

5.Fondet jopublike të përfituara nga partia politike, kur identiteti i dhuruesit nuk njihet apo nuk është i përcaktuar qartë, kalojnë për llogari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

6.Pranimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është kryer nëpërmjet llogarisë bankare, dënohet me gjobë, në masën 30% të shumës së dhuruar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›